INSTITUTI PËR PLANIFIKIM HAPËSINOR
Bashkëpunimi
Karakteristikë e punës së deritashme të Institutit ka qenë bashkëpunimi dhe ndihma reciproke me të gjithë pjesëmarrësit në proces. Bashkëpunimi është i të gjitha niveleve, duke filluar nga organet më të larta qeveritare, ato komunale e deri te organizatat e huaja dhe vendore, profesionistë dhe individë të pavarur, me të cilët ky bashkëpunim është plotësuar edhe me diskutime të shpeshta publike.
Ndihmë e konsiderueshme në këto aktivitetet është dhënë nga ana e UN-Habitat-it përmes IHS-it – Institutit për Banim dhe Studime të Zhvillimit Urban - Holandë, e cila ndihmë më së shumti konsistoi në ngritjen kapaciteteve profesionale. Një bashkëpunim i veçantë ka qenë me projektin ALUP (Agriculture land Utilitasion Project), i cili ka ndikuar në ngritjen reciproke të kapaciteteve rreth menaxhimit dhe planifikimit rural. Në mënyrë të ngjashme kemi bashkëpunuar edhe me UNDP, SIDA, CHwB, AGRIFOR (Institucione ndërkombëtarë), me theks të veçantë në gjetjen e mundësive për ngritjen dhe zhvillimin institucional në fushën e planifikimit hapësinor.
Gjatë kësaj periudhe ndër bashkëpunimet e rëndësishme ka qenë edhe puna deri më tash joformale, me studentë të fushave të ndryshme. Kemi arritur që për një numër të konsiderueshëm të studentëve të ofrojmë hapësirë dhe informata të mjaftueshme për kryerjen e pjesës praktike të studimeve universitare.
Momentalisht njëri ndër aktivitetet e rëndësishme është bashkëpunimi me disa projekte të financuara nga Komisioni Evropian dhe donatorë tjerë, me qëllimin kryesor ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve humane dhe teknike në IPH, nga të cilët më të rëndësishme janë:
- Vazhdimi i përkrahjes për shfrytëzimin e tokave (EULUP) – në kuadër të projektit MMPH përkatësisht IPH ka qenë njëri ndër përfituesit kryesor. Projekti kryesisht merrej me ngritjen e kapaciteteve humane dhe teknike të nevojshme, që do të kenë ndikim në hartimin politikave nacionale dhe implementimin e tyre, të ndërlidhura kryesisht me planifikimin hapësinor të zonave rurale, mbrojtjen e tokave bujqësore dhe mbrojtjen e mjedisit. Në kuadër të projektit janë organizuar trajnime bazike dhe të avancuara në GIS, në të cilat përpos IPH-së kanë përfituar edhe MBPZHR dhe stafi i pilot komunave.
- Promovimi i diversitetit kulturor në Kosovë (PCDK) – në kuadër të projektit MMPH përkatësisht IPH është njëri ndër përfituesit kryesor. Qëllimi kryesor i projektit është promovimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Njëri nga synimet e përbashkëta do të jetë prezantimi sa më real i trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin e Kosovës. Kjo po realizohet përmes vizitave të ndryshme studimore dhe organizimit të trajnimeve të nevojshme, në të cilat pjesëmarrësit duke përfshirë edhe IPH-në, po marrin përvoja nga më të ndryshmet,.
- Programi "Integrimi i trashëgimisë kulturore në planifikim hapësinor dhe urban të nivelit qendror dhe lokal në Kosovë" – Përmes këtij programi të ndërmarrë në partneritet me CHwB-në, është trajtuar çështja e trashëgimisë kulturore, dhe përfshirja e saj në planet hapësinore të niveleve të ndryshme. Në mënyrë më specifike analiza dhe hulumtimi është realizuar në dokumentet përkatëse hapësinore të disa komunave tipike të Kosovës. Qëllimi kryesor i programit ka qenë që, përmes bashkëpunimit me të gjitha institucionet relevante, të definojmë hapat e nevojshëm për trajtimin dhe integrimin e drejtë të trashëgimisë kulturore në planifikimin hapësinor në Kosovë.
- Aktualisht në kuadër të bashkëpunimit me donatorë – duhet të veçohet bashkëpunimi me GIZ-in në përkrahjen që po u epet disa komunave të Kosovës në ndërtimin e bazës së të dhënave dhe hartimin e hartave zonale komunale. Në këtë drejtim në mënyrë indirekte është duke u përkrahur edhe niveli qendror i planifikimit hapësinor. Konkretisht Instituti përpos ngritjes së kapaciteteve humane, në aspektin teknik ka përfituar tri licenca (desktop) të platformës së GISit, dy nga të cilat janë ArcGIS themelor dhe një tjetër ArcGIS të avancuar.