INSTITUTI PËR PLANIFIKIM HAPËSINOR

Dokumentet

Plani Hapësinor i Kosovës

`Plani Hapësinor i Kosovës 2010-2020+` – është dokumenti kryesor i sektorit të planifikimit hapësinor i cili është hartuar në bashkëpunim me të gjitha sektorët e rëndësishme të Qeverisë së Kosovës. Në hartimin e tij kanë marrë pjesë edhe profesionist të dalluar të fushës, institucionet e ndryshme shkencore, universiteti, organizata të ndryshme joqeveritare, përfaqësues të shoqërisë civile, zyrtarë të nivelit lokal dhe pa dyshim, shumë e rëndësishme ka qenë ndihma dhe përkrahja që është ofruar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare.


Dokumenti i aprovuar në Qershor 2011 është versioni plotësuar, i cili për bazë kishte dokumentin e aprovuar në parim në Kuvendin e Kosovës (Janar, 2007). Një veprim i tillë ishte i domosdoshëm, për shkak të ndryshimeve të atëhershme politike të cilat sollën edhe ndryshime tjera hapësinore. Sa i përket përmbajtjes, zhvillimi i ofruar policentrik është garant i zhvillimit të barabartë të të gjitha rajoneve, komunave dhe zonave rurale në Kosovë. Me shumë kujdes janë shfrytëzuar potencialet e shumta dhe karakteristike për rajonet, që paraqesin bazë të mirë për zhvillim të qëndrueshëm të të gjithë vendit.



Draft Harta Zonale e Kosovës

Harta Zonale e Kosovës (HZKos) ështe ndër dy dokumentet kryesore të sektorit të planifikimit hapësinor që rrjedhin nga Ligji për Planifikim Hapësinor.
Qëllimi kryesor i hartimit të Hartës Zonale të Kosovës është koordinimi i zhvillimeve hapësinore në të gjithë territorin e vendit. Përmes veprimeve, masave dhe aktiviteteve që janë njëra nga pjesët e rëndësishme të dokumentit, do të bëhet e mundur implementimi i politikave, qëllimeve dhe objektivave të sektorëve të rëndësishëm të Qeverisë së Kosovës. Në hartë do të përcaktohen zonat për të cilat do të vendosen kushtet zhvillimore të obligueshme për të gjitha subjektet pjesëmarrëse në implementim. Me qëllim të ndërprerjes së dukurive negative që po ndodhin në hapësirë, Harta Zonale e Kosovës është instrumenti praktik, me të cilin bëhet më i lehtë zbatimi dhe monitorimi i veprimeve të planifikuara.