INSTITUTI PËR PLANIFIKIM HAPËSINOR
Themelimi
Instituti për planifikim hapësinor është pjesë përbërëse e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe së bashku me Departamentin e Planifikimit Hapësinor përbëjnë sektorin e planifikimit hapësinor në Qeverinë e Kosovës. Është themeluar në Tetor të vitit 2003 me akt të veçantë të nënshkruar nga ish Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Aktualisht Instituti vepron në bazë të Udhëzimit Administrativ nga MMPH Nr. 03/2017 mbi fushëveprimin dhe përgjegjësit e Institutit për Planifikim Hapësinor.
Që nga themelimi e deri në ditët e sotme, ajo që e karakterizon Institutin është puna grupore profesionale, e cila në të shumtën e rasteve rezulton me përfundimin e punëve në kohë dhe me sukses të plotë.
Veprimtaria
Veprimtaria kryesore e këtij institucioni është hartimi i Planit Hapësinor dhe Hartës Zonale të Kosovës si dhe përgatitja dhe hartimi i planeve të zonave me përmbajtje të veçantë dhe me interes për shtetin. Veprimtari tjetër e rëndësishme është ngritja e kapaciteteve humane dhe ndihma teknike profesionale e punëtorëve të nivelit komunal, në përgatitjen dhe hartimin e planeve komunale.
Prej vitit 2003 e deri më sot, janë prodhuar disa dokumente të rëndësishme dhe të nevojshme për sektorin e planifikimit hapësinor në veçanti dhe në përgjithësi dokumente të rëndësishme për Qeverinë e Kosovës. Të gjitha materialet dhe dokumentet e prodhuara janë të përmbledhura në formën e dokumenteve zyrtare dhe janë pjesë përbërëse e faqes sonë të internetit.
Gjithashtu, në bashkëpunim të ngushtë me sektorët e rëndësishëm të Qeverisë së Kosovës, janë hartuar një set i tërë i raporteve sektoriale, të nevojshme për paraqitjen sa më reale të zhvillimit hapësinor sektorial. Një grup i veçantë i punëtorëve të Institutit, kanë punuar në hartimin e analizave hapësinore për komunat e Suharekës, Vushtrrisë, Dragashit, Kaçanikut, Malishevës, Kamenicës dhe Obiliqit, dokumente këto që për nga përmbajtja janë ndihmë e madhe e komunave për përfundimin e Planeve Zhvillimor Komunale. Një punë e rëndësishme e Institutit, ka qenë hulumtimi që është bërë në fushën e vendbanimeve joformale. Për këtë qëllim, dhe në bazë të rezultateve të hulumtimit të zhvilluar në disa komuna, është nxjerrë udhëzuesi për trajtimin e këtyre vendbanimeve. Një pjesë e stafit ka qenë i kyçur në procesin e hartimit të Planit Zhvillimor për Komunën e Junikut, që si aktivitet është konsideruar si risi në kuadër të bashkëpunimit me organet kompetente komunale, të cilin do të tentojmë ta shtrijmë dhe ta aplikojmë edhe për komunat tjera të interesuara.
Kohë më parë kemi përfunduar punën në “Indikatorët për Planifikim Hapësinor në Kosovë”, që në fakt është një Listë-kornizë në të cilën janë trajtuar rreth 50 indikatorë themelor për planifikim hapësinor dhe urban, me qëllim të krijimit të një instrumenti bazik shumë të nevojshëm për zhvillimin dhe vlerësimin e vet procesit të planifikimit hapësinor. Dokumenti në fjalë do të jetë në shërbim të politikë-bërësve, planerëve dhe profesionistëve tjerë nga niveli qendror e lokal, që vendim-marrjen e tyre ta mbështesin në fakte (dëshmi) si për: Vlerësim të gjendjes së zhvillimit aktual hapësinor; Hartim të strategjisë së zhvillimit të ardhshëm hapësinor; dhe për Monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e zbatimit: të zhvillimeve nëpër plane si dhe të vet instrumenteve të planifikimit hapësinor/urban.
Pajisja teknike dhe baza e të dhënave
Pajisja teknike që disponon Instituti është e nivelit të konsiderueshëm dhe me plotësimin e adekuat të nevojshëm mund ti përgjigjet kërkesave të kohës. Në kuadër të Institutit vepron Divizioni profesional i GIS-it, në kuadër të të cilit punojnë tashmë profesionistë të përgatitur dhe të gatshëm që të krijojnë të dhëna dhe analiza të nevojshme. Realizimi i projekteve të deritashme ka ndikuar në krijimin e një baze të mirë të shënimeve, të nevojshme për paraqitjen sa më reale të zhvillimeve hapësinore në të gjithë territorin e Kosovës.
Objektivi
Objektivi kryesor i Institutit për Planifikim Hapësinor është – ngritja e institucionit në nivel në të cilin do të jetë i gatshëm, në njërën anë të ofrojë shërbime për Qeverinë e Kosovës dhe në anën tjetër, nga angazhimet profesionale, të krijoj të hyra të mjaftueshme për zhvillimin e qëndrueshëm të kapaciteteve të veta.
Në bashkëpunim me MASHT-in dhe Universitetin e Prishtinës do të përpiqemi të gjejmë formën e duhur për bashkëpunim të qëndrueshëm, nga i cili do të përfitojnë më së shumti studentët, për të cilët IPH momentalisht po shfrytëzohet si adresë kryesore e mësimit të përvojave praktike në fushën e planifikimit hapësinor.
Për fund
Edhe përkundër rezultateve të përmendura më sipër, jemi të vetëdijshëm për problemet dhe mangësitë në fushën e planifikimit dhe menaxhimit urban. Ka ende mungesë të kapaciteteve të nevojshme humane dhe teknike në të dy nivelet e qeverisjes. Situata në terren është e ndërlikuar në disa raste edhe kaotike, në të cilën është shumë e vështirë të ndikohet. Një pjesë e konsiderueshme e zhvillimeve në hapësirë, nuk janë në përputhje me rekomandimet e dokumenteve që nxirren nga vet sektori. Për shkak të zbrazëtirave aktuale ligjore, mbikëqyrja dhe implementimi, si njëra ndër fazat më të rëndësishme të procesit të planifikimit hapësinor, ende nuk janë në nivelin e duhur.
Duke i pasur këto parasysh, mendojmë se është momenti i fundit që bashkërisht të vendosim dhe të veprojmë në ndryshimin e kësaj situate. Përgjegjësia na takon të gjithëve, duke filluar nga NE institucionet qendrore, të cilat duhet të insistojnë në përforcimin e infrastrukturës ligjore dhe përcaktimin e qartë të pozicionit të të gjitha institucioneve përgjegjëse. Një përgjegjësi e madhe i takon edhe profesionistëve që me vetëdije ose pa të, shkelim rregullat e ndërtimit në emër të interesit material. Përgjegjës janë edhe qytetarët, një pjesë e të cilëve të ndodhur në situatë të vështirë ekonomike në njërën anë, dhe në anën tjetër para presionit të ndërmarrësve, me lehtësi po heqin dorë nga respektimi i ligjeve dhe rregullave në fuqi. Këtë situatë, edhe pse nuk është e lehtë mund ta ndryshojmë! - duhet të kemi më shumë kurajë, duhet të ndikojmë në raport me përgjegjësitë, duhet të fillojmë të ndërtojmë ndjenjën për “të përbashkëtën”, dhe çka është më e rëndësishmja - duhet tu japim më shumë hapësirë profesionistëve.
Luan NUSHI, drejtor
tel. +383 (0) 44 177623; +383 (0) 38 200 74124