Ministri Aliu mori pjesë në punëtoritë e nivelit Ministror me temën, “Financimi për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike dhe dekarbonizimi ndër sektorial”, në kuadër të Dialogut të Klimës
Në kuadër të Dialogut të Klimës, mora pjesë në punëtoritë e nivelit Ministror me temën: “Financimi për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike dhe dekarbonizimi ndër sektorial.”
Në intervenimin tim falënderova të dërguarin e posaçëm presidencial të Shteteve të Bashkuara për Klimën, Ish-Sekretarit të Shtetit Z. John Kerry dhe Sekretarin Parlamentar të Shtetit Gjerman në Ministrinë Federale për Çështjet Ekonomike dhe Mbrojtjen e Klimës, Z. Stefan Wenzel, për ndihmën bilaterale që ofrojnë SH.B.A-të dhe Gjermania në tranzicioni e drejtë të energjisë dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike Kosovë.
Ky ishte intervenimi im gjatë seancës së sotshme:
Të nderuar Ministra dhe Udhëheqës të Shteteve,
Si Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Republikën e Kosovës, i bëj jehonë thirrjeve të kolegëve të nderuar që gjenden këtu, se inventarizimi global dhe COP28 duhet të kenë gjithnjë prioritet objektivat e dekarbonizimit sektorial. Megjithatë, ne duhet të sigurohemi, se përpjekjet tona drejtë përshtatjes klimatike të mos neglizhohen në mënyrë që edhe financimi të jetë sa më i arritshëm.
Republika e Kosovës mbështetet në lëndët djegëse fosile për përzierjen tonë energjetike dhe ne posedojmë një rezervë të madhe të linjitit, megjithatë ne kemi ndërmarrë veprime konkrete përmes projekteve që synojnë dekarbonizimin e sektorit tonë energjetik. Me mbështetjen e partnerëve tanë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës që përmes projektit të tyre të ruajtjes së baterive, do të lejojë integrimin e burimeve të rinovueshme, si dhe mbështetjen e Gjermanisë me projektin tjetër për energji të rinovueshme, na kanë mundësuar që sot të jemi pjesë e diskutimeve globale si ky i sotshmi, e që ne jemi duke avancuar me një ritëm të kënaqshëm.
Megjithatë, siç e keni përsëritur shumë prej jush, parimi "të mos lini askënd prapa", mbetet i paplotë përderisa vende si Kosova nuk janë të përfshira në proceset dhe mekanizmat e UNFCCC-së. Pavarësisht progresit tonë të dukshëm në rrugën drejtë zeros neto dhe angazhimit tonë indirekt ndaj Marrëveshjes së Parisit, Kosova mbetet i vetmi vend pa qasje në fondet shumëpalëshe për përshtatjen klimatike dhe negociatat e UNFCCC.
Vit pas viti, ne në Kosovë përballemi me pasojat shkatërruese të ndryshimeve klimatike, nga përmbytjet e mëdha deri te thatësirat ekstreme dhe zjarret e paprecedentë. Këto ngjarje vënë në provë përshtatshmërinë tonë ndaj klimës dhe ne vazhdojmë t'i bëjmë thirrje komunitetit global të mos na lërë pas. Ne meritojmë një shans të barabartë për t'u mbështetur në përgjigjen globale ndaj zbutjes dhe përshtatjes së ndryshimeve klimatike. Ndërsa ecim përpara, le të kujtojmë rëndësinë e përfshirjes së të gjitha kombeve në këto diskutime kritike, në mënyrë që së bashku të krijojmë një të ardhme të qëndrueshme për brezat që do të vijnë.