Ministri Aliu vazhdon lobimin që Kosova të ketë qasje në procese dhe mekanizma të UNFCCC-së
Vazhdojmë lobimin që Kosova të ketë qasje në procese dhe mekanizma të UNFCCC-së, në veçanti për mundësinë që të kemi qasje në fondet multilaterale në përballje me efekteve negative të ndryshimeve klimatike.
Pata nderin e veçantë që sërish ta takoj z. John Kerry, të dërguarin e posaçëm presidencial të ShBA-ve për klimën, njëherit e ftova që të na vizitojë në Kosovë, dhe e njoftova që si pjesë e Betimit Global të Metanit (Global Methange Pledge), po angazhohemi maksimalisht për trajtimin e mbeturinave organike dhe rikuperimin e energjisë nga mbeturinat në mënyrë që të ulim sipërfaqen e deponive në përgjithësi.
Po ashtu takova, Presidentin e emëruar të COP28, Dr Sulltan Al-Jaber, dhe Ministren e Ndryshimeve Klimatike dhe Mjedisit, Znj. Mariam Almheiri, të cilët më siguruan që Emiratet e Bashkuara Arabe janë të përkushtuar ndaj përfshirjes së Kosovës në përpjekjet globale për uljen e emetimeve të gazrave serrë. Falendërova Emiratet e Bashkuara Arabe për mbështetjen e tyre për Javën e Qëndrueshmërisë dhe presim që të punojmë së bashku për COP28 në Dubai.
Zhvilluam takime me Ministren e Mjedisit nga Maldivet, Znj. Shauna Aminath, me delegacionin Japonez e me shumë kolegë tjerë që po angazhohen për adresimin e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike në përgjithësi, me ç’rast theksova iniciativën e Kosovës për bashkëpunim të brendshëm dhe ndërkombëtar, në dritën e zhvillimeve të fundit drejt një të ardhmeje më të gjelbër.
Falënderues dhe nder i veçantë që të ishim pjesë e diskutimeve me Kancelarin Gjerman, Z. Olaf Scholz, dhe Ministren Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Znj. Annalena Baerbock, rreth nevojës urgjente për zbutjen e ndryshimeve klimatike sipas raportit të fundit të IPCC si dhe mobilizimit të financimit klimatik për shtetet në nevojë si Kosova, gjithnjë për avancimin e mëtutjeshëm të së mirës së përgjithshme dhe vlerave demokratike.