Lajmet

Fillon Trajnimi për ekspertë të pavarur për inspektimin e sistemeve NVKA

Fillon Trajnimi për ekspertë të pavarur për inspektimin e sistemeve NVKA

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka filluar sot zyrtarisht Trajnimin dhe Çertifikimin e ekspertëve të pavarur për inspektimin e sistemeve të Ngrohjes Ventilimit dhe Klimatizimit të Ajrit (NVKA). Ky trajnim përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të kapaciteteve profesionale dhe zbatimit të standardeve për performancën energjetike të ndërtesave.

Trajnimi organizohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me bashkëpunim me LuxDev, dhe synon përgatitjen e gjeneratës së parë të ekspertëve të pavarur për inspektimin e sistemeve NVKA, si dhe trajnerëve të parë në këtë fushë në vend.

Programi i trajnimit përfshin:

  • Kornizën ligjore dhe konceptuale për performancën energjetike të ndërtesave;
  • Aspektet teknike dhe praktike të inspektimit të sistemeve NVKA.

Pas përfundimit të trajnimit, kandidatët do t’i nënshtrohen testimit përfundimtar. Kandidatët që e kalojnë me sukses testin do të çertifikohen si ekspertët e parë të pavarur për inspektimin e sistemeve NVKA, ndërsa grupi i parë do të vazhdojnë me trajnimin e avancuar për trajnerë.

 

Ky aktivitet shënon një zhvillim të rëndësishëm në zbatimin e Ligjit për Performancën Energjetike të Ndërtesave dhe në forcimin e kapaciteteve profesionale në sektorin e energjisë dhe mjedisit.

Lexo më shumë

Përmbyllet Projekti për Zhvillimin e Kapaciteteve të Kontrollit të Ndotjes së Ajrit në Kosovë

Sot është mbajtur takimi i Komitetit të Përbashkët Koordinues të  Projekti për Zhvillimin e Kapaciteteve të Kontrollit të Ndotjes së Ajrit në Kosovë, që njëherit ka shënuar edhe përmbyllen e aktiviteteve të projektit.

Projekti është zhvilluar në dy faza dhe ka përfshirë një periudhë kohore rreth 10 vite. Në fjalën e tij hapëse të takimit z. Bajram Kafexholli, U.d. i Sekretarit të Përgjithshëm të MMPH, ka falënderuar Agjencinë Japoneze për Zhvillim Ndërkombëtarë (JICA) dhe ekipin implementues të projektit, për mbështetjen dhe realizimin e suksesshëm të aktiviteteve të projektit.

Ndërsa në fjalën e tyre, z. Chigiru Yamashita, Përfaqësues Kryesor i Zyrës së JICA-s për Ballkanin, dhe Dr. Hiroaki Takiguchi, këshilltarë i lartë i JICA, çmuan lartë përkushtimin e stafit të MMPH për zbatimin e projektit dhe në arritjen e rezultateve të synuara.

Me këtë rast u prezantuan edhe gjetjet kryesore në kuadër të raportit përfundimtar të projektit, rekomandimet për të ardhmen si dhe disa nga veprimet dhe masat e kontrollit të ndotjes së ajrit që pritet të zbatohen për të arritur qëllimin e përgjithshme për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Pjesa e diskutimeve u fokusua në disa nga çështjet e mbetura që duhet të merren parasysh në të ardhmen dhe në mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të projekteve tjera.

Përveç përfaqësuesve të MMPH, AMMK, JICA dhe kompanisë implementuese të projektit, pjesë e Komitetit të Përbashkët Koordinues të  Projektit ishin edhe përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Korporata Energjetike e Kosovës, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Komuna e Prishtina dhe Universiteti i Prishtinës.

 

Lexo më shumë

Ministrja Pacolli zhvilloi takim me të dërguarën speciale të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor


Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, znj. Fitore Pacolli zhvilloi takim në Londër me të Dërguarën Speciale të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce. Në këtë takim, e shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Londër, z. Ilir Kapiti, u diskutua për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.
Gjatë këtij takimi, ministrja Pacolli prezantoi prioritetet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke vlerësuar lart ndihmën dhe ekspertizën e çmuar britanike që po mbështet reformat drejt zhvillimit të Kosovës. U theksua veçanërisht rëndësia e planifikimit hapësinor si një mjet kyç për të garantuar gjithëpërfshirje dhe barazi për të gjithë qytetarët pa dallim.
Po ashtu ministrja Pacolli shprehu mirënjohje për pritjen e ngrohtë të Dame Karen Pierce dhe për gatishmërinë e saj të vazhdueshme për të qëndruar krah Kosovës në adresimin e sfidave të përbashkëta.
10.03.2026
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
Lexo më shumë

Ndalohet rreptësisht çdo lloj aktiviteti ndërtimor ilegal në Parqet Kombëtare

Ministrja Fitore Pacolli ka nxjerrë sot vendim që të ndalohet rreptësisht çdo lloj aktiviteti ndërtimor ilegal brenda Parqeve Kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri” në Kosovë.

 

Me këtë vendim parashihet të ndalohet hyrja, transporti dhe qarkullimi i çdo mjeti që shërben për bartjen e materialeve ndërtimore, si dhe përdorimi i mjeteve të rënda të punës si eskavatorë, betonierë, buldozerë, kamionë vetëshkarkues dhe makineri të ngjajshme.

Ministrja Pacolli tha se “Ky është hapi ynë i parë në përpjekjen për të rikthyer ligjshmërinë dhe rendin në zonat e mbrojtura. Parqet tona kombëtare janë pasuri e përbashkët që duhet ruajtur secili nga ne”.

 

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të kujdeset me institucionet relevante të tjera për zbatimin e plotë të këtij vendimi.

 

04.03.2026
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
Lexo më shumë

Ministrja Pacolli pranon mirënjohje nga Rektori i UP-së


 Ministrja Fitore Pacolli bashkë me këshilltarin politik, Milazim Salijaj kanë pranuar sot nga një mirënjohje nga Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, në shenjë vlerësimi për punën dhe kontributin e tyre si deputetë për mbrojtjen e pronës publike, me theks të veçantë në pronat e UP-së.

 

Gjatë mandatit të saj si deputete ministrja Pacolli kishte denoncuar në Prokurorinë e Shtetit tjetërsimin e kundërligjshëm të pronës së Fakultetit Teknik, në sipërfaqe prej 68 ari. Rasti ishte trajtuar edhe në Komisionin Parlamentar për Mjedis dhe pas një hulumtimi dhe raporti të detajuar profesional, i cili shërbeu si bazë për nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Shtetit.

 

Ministrja theksoi se nuk ka kënaqësi më të madhe sesa kur puna e nisur në Kuvend vlerësohet nga institucioni më i lartë arsimor në vend – Universiteti i Prishtinës. Ajo ritheksoi zotimin se angazhimi do të vazhdojë deri në rregullimin e plotë ligjor të çdo metri të kampusit universitar, duke nënvizuar se pronat e UP-së i takojnë dijes dhe jo interesave të ngushta.

 

Gjatë takimit me rektorin, palët u dakorduan që ky të jetë fillimi i një kapitulli të ri bashkëpunimi, ku ekspertiza e Universitetit të Prishtinës dhe vizioni i Ministrisë do të ecin paralelisht në proceset e ardhshme institucionale.

 

04.03.2026

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapesinor

Lexo më shumë

Ministrja Fitore Pacolli: Ujërat janë prioritet në mandatin tonë qeverisës


Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, znj. Fitore Pacilli bashkë me zëvendësministrin  Avni Zogiani dhe Inspektoratin Mjedisor ishin në terren sot në pellgun ujor të lumit Lepenc për të parë nga afër procesin e kontrollit dhe inspektimit të hidrocentraleve dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e mjedisit dhe resurseve ujore.

 

Qëllimi i kësaj vizite ishte të vlerësohet se aktiviteti i këtyre operatorëve zhvillohet në përputhje të plotë me lejet mjedisore dhe ujore të lëshuara, si dhe me standardet teknike dhe ligjore të përcaktuara. 

 

Gjatë vizitës ministrja Pacolli para mediave tha se “Ne tash jemi një ekip i ri në Ministri dhe kemi planet tona. Është e rëndësishme që të vendoset ligjshmëria, pra të sigurojmë që respektohet ligji në të gjithë sektorët që i mbulon Ministria. Njëri prej sektorëve që i mbulon Ministria dhe që është jashtëzakonisht i rëndësishëm, si dhe pjesë e prioritetit tonë, janë ujërat. Do të fokusohemi që ujërat e shtetit të Kosovës të shfrytëzohen në mënyrën më të qëndrueshme të mundshme, pra të mos keq shfrytëzohen dhe të mos keq menaxhohen. Mbrojtja e lumenjve dhe mbrojtja e ujërave të Kosovës është fokusi ynë kryesor”.

 

03.03.2026

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor

 

Lexo më shumë

Ministrja Pacolli zhvilloi takim me përfaqësuesit e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, GIZ-in dhe KfW-në

 

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, znj.Fitore Pacolli së bashku me zëvendësministrin z.Avni Zogiani, zhvilluan një takim me drejtorin për zhvillim në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, z. Daniel Alker, si dhe me përfaqësues nga GIZ, z. David Oberhuber dhe znj. Marianne Alker, dhe përfaqësues nga KfW, z. Moritz Reme dhe z. Premtim Islami.

 

Në këtë u diskutua për projektet e deritanishme të realizuara dhe për avancimin e projekteve të reja. Në veçanti, u trajtuan projektet strategjike që lidhen me sigurimin e ujit të pijshëm për qytetarët, energjinë efiçiente në objekte banimi dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Gjithashtu, u diskutuan sfidat në menaxhimin e mbeturinave, nevoja për investime të reja dhe rëndësia e një planifikimi të mirëfilltë për të garantuar zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme.

 

Ministrja Pacolli falënderoi palën gjermane për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ndaj Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

 

26.02.2026

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor

Lexo më shumë

Ministrja Pacolli prezanton 6 projektligje si prioritete për këtë mandat

 

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli ka njoftuar se prioritet i këtij mandati në MMPH janë hartimi dhe zbatimi i 6 projektligjeve përmes të cilave synohet të përmirësohet cilësia e jetës së qytetarëve dhe të bëhet mbrojtja e mjedisit.

 

1. Projektligji për Mbrojtjen e Mjedisit

2. Projektligji për Mbrojtjen e Natyrës

3. Projektligji për Mbeturina

4. Projektligji për Planifikim Hapësinor

5. Projektligji për Banim Social dhe të Përballueshëm

6. Projektligji për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit

 

 

25.02.2026

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor

 

Lexo më shumë

Ministrja Fitore Pacolli takon Ambasadorin e Austrisë në Kosova për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mjedisit

Sot, ministrja zn. Fitore Pacolli zhvilloi një takim me Ambasadorin e Austrise në Kosovë, z. Georg Schnetzer, me të cilin diskutoi për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit në fusha si menaxhimi i mbeturinave, zonat e mbrojtura dhe përmirësimi i cilësisë së ajrit në Kosovë.
Po ashtu, u diskutua për Agjendën e Gjelbër Ballkanike dhe Agjendën e Gjelbër Evropiane, si dhe për angazhimin tonë drejt përmbushjes së kritereve dhe obligimeve që rrjedhin nga këto iniciativa, në përputhje me standardet e Bashkimi Evropian.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e përkrahjes së Austrisë për vendin tonë dhe u shpreh gatishmëria e plotë për thellimin e bashkëpunimit në projekte konkrete në fushën e mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, në kuadër të përgjegjësive që mbulon ministria.
Lexo më shumë