Sot është mbajtur takimi i Komitetit të Përbashkët Koordinues të Projekti për Zhvillimin e Kapaciteteve të Kontrollit të Ndotjes së Ajrit në Kosovë, që njëherit ka shënuar edhe përmbyllen e aktiviteteve të projektit.
Projekti është zhvilluar në dy faza dhe ka përfshirë një periudhë kohore rreth 10 vite. Në fjalën e tij hapëse të takimit z. Bajram Kafexholli, U.d. i Sekretarit të Përgjithshëm të MMPH, ka falënderuar Agjencinë Japoneze për Zhvillim Ndërkombëtarë (JICA) dhe ekipin implementues të projektit, për mbështetjen dhe realizimin e suksesshëm të aktiviteteve të projektit.
Ndërsa në fjalën e tyre, z. Chigiru Yamashita, Përfaqësues Kryesor i Zyrës së JICA-s për Ballkanin, dhe Dr. Hiroaki Takiguchi, këshilltarë i lartë i JICA, çmuan lartë përkushtimin e stafit të MMPH për zbatimin e projektit dhe në arritjen e rezultateve të synuara.
Me këtë rast u prezantuan edhe gjetjet kryesore në kuadër të raportit përfundimtar të projektit, rekomandimet për të ardhmen si dhe disa nga veprimet dhe masat e kontrollit të ndotjes së ajrit që pritet të zbatohen për të arritur qëllimin e përgjithshme për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Pjesa e diskutimeve u fokusua në disa nga çështjet e mbetura që duhet të merren parasysh në të ardhmen dhe në mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të projekteve tjera.
Përveç përfaqësuesve të MMPH, AMMK, JICA dhe kompanisë implementuese të projektit, pjesë e Komitetit të Përbashkët Koordinues të Projektit ishin edhe përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Korporata Energjetike e Kosovës, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Komuna e Prishtina dhe Universiteti i Prishtinës.