Lajmet

05 mars 2026

Ndalohet rreptësisht çdo lloj aktiviteti ndërtimor ilegal në Parqet Kombëtare

Ministrja Fitore Pacolli ka nxjerrë sot vendim që të ndalohet rreptësisht çdo lloj aktiviteti ndërtimor ilegal brenda Parqeve Kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri” në Kosovë.

 

Me këtë vendim parashihet të ndalohet hyrja, transporti dhe qarkullimi i çdo mjeti që shërben për bartjen e materialeve ndërtimore, si dhe përdorimi i mjeteve të rënda të punës si eskavatorë, betonierë, buldozerë, kamionë vetëshkarkues dhe makineri të ngjajshme.

Ministrja Pacolli tha se “Ky është hapi ynë i parë në përpjekjen për të rikthyer ligjshmërinë dhe rendin në zonat e mbrojtura. Parqet tona kombëtare janë pasuri e përbashkët që duhet ruajtur secili nga ne”.

 

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të kujdeset me institucionet relevante të tjera për zbatimin e plotë të këtij vendimi.

 

04.03.2026
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor

Lexo dhe:

Ministrja Pacolli pranon mirënjohje nga Rektori i UP-së


 Ministrja Fitore Pacolli bashkë me këshilltarin politik, Milazim Salijaj kanë pranuar sot nga një mirënjohje nga Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, në shenjë vlerësimi për punën dhe kontributin e tyre si deputetë për mbrojtjen e pronës publike, me theks të veçantë në pronat e UP-së.

 

Gjatë mandatit të saj si deputete ministrja Pacolli kishte denoncuar në Prokurorinë e Shtetit tjetërsimin e kundërligjshëm të pronës së Fakultetit Teknik, në sipërfaqe prej 68 ari. Rasti ishte trajtuar edhe në Komisionin Parlamentar për Mjedis dhe pas një hulumtimi dhe raporti të detajuar profesional, i cili shërbeu si bazë për nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Shtetit.

 

Ministrja theksoi se nuk ka kënaqësi më të madhe sesa kur puna e nisur në Kuvend vlerësohet nga institucioni më i lartë arsimor në vend – Universiteti i Prishtinës. Ajo ritheksoi zotimin se angazhimi do të vazhdojë deri në rregullimin e plotë ligjor të çdo metri të kampusit universitar, duke nënvizuar se pronat e UP-së i takojnë dijes dhe jo interesave të ngushta.

 

Gjatë takimit me rektorin, palët u dakorduan që ky të jetë fillimi i një kapitulli të ri bashkëpunimi, ku ekspertiza e Universitetit të Prishtinës dhe vizioni i Ministrisë do të ecin paralelisht në proceset e ardhshme institucionale.

 

04.03.2026

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapesinor

Lexo më shumë