Lajmet

03 mars 2026

Ministrja Fitore Pacolli: Ujërat janë prioritet në mandatin tonë qeverisës


Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, znj. Fitore Pacilli bashkë me zëvendësministrin  Avni Zogiani dhe Inspektoratin Mjedisor ishin në terren sot në pellgun ujor të lumit Lepenc për të parë nga afër procesin e kontrollit dhe inspektimit të hidrocentraleve dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e mjedisit dhe resurseve ujore.

 

Qëllimi i kësaj vizite ishte të vlerësohet se aktiviteti i këtyre operatorëve zhvillohet në përputhje të plotë me lejet mjedisore dhe ujore të lëshuara, si dhe me standardet teknike dhe ligjore të përcaktuara. 

 

Gjatë vizitës ministrja Pacolli para mediave tha se “Ne tash jemi një ekip i ri në Ministri dhe kemi planet tona. Është e rëndësishme që të vendoset ligjshmëria, pra të sigurojmë që respektohet ligji në të gjithë sektorët që i mbulon Ministria. Njëri prej sektorëve që i mbulon Ministria dhe që është jashtëzakonisht i rëndësishëm, si dhe pjesë e prioritetit tonë, janë ujërat. Do të fokusohemi që ujërat e shtetit të Kosovës të shfrytëzohen në mënyrën më të qëndrueshme të mundshme, pra të mos keq shfrytëzohen dhe të mos keq menaxhohen. Mbrojtja e lumenjve dhe mbrojtja e ujërave të Kosovës është fokusi ynë kryesor”.

 

03.03.2026

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor

 

Lexo dhe:

Ministrja Pacolli zhvilloi takim me përfaqësuesit e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, GIZ-in dhe KfW-në

 

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, znj.Fitore Pacolli së bashku me zëvendësministrin z.Avni Zogiani, zhvilluan një takim me drejtorin për zhvillim në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, z. Daniel Alker, si dhe me përfaqësues nga GIZ, z. David Oberhuber dhe znj. Marianne Alker, dhe përfaqësues nga KfW, z. Moritz Reme dhe z. Premtim Islami.

 

Në këtë u diskutua për projektet e deritanishme të realizuara dhe për avancimin e projekteve të reja. Në veçanti, u trajtuan projektet strategjike që lidhen me sigurimin e ujit të pijshëm për qytetarët, energjinë efiçiente në objekte banimi dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Gjithashtu, u diskutuan sfidat në menaxhimin e mbeturinave, nevoja për investime të reja dhe rëndësia e një planifikimi të mirëfilltë për të garantuar zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme.

 

Ministrja Pacolli falënderoi palën gjermane për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ndaj Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

 

26.02.2026

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor

Lexo më shumë

Ministrja Pacolli pranon mirënjohje nga Rektori i UP-së


 Ministrja Fitore Pacolli bashkë me këshilltarin politik, Milazim Salijaj kanë pranuar sot nga një mirënjohje nga Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, në shenjë vlerësimi për punën dhe kontributin e tyre si deputetë për mbrojtjen e pronës publike, me theks të veçantë në pronat e UP-së.

 

Gjatë mandatit të saj si deputete ministrja Pacolli kishte denoncuar në Prokurorinë e Shtetit tjetërsimin e kundërligjshëm të pronës së Fakultetit Teknik, në sipërfaqe prej 68 ari. Rasti ishte trajtuar edhe në Komisionin Parlamentar për Mjedis dhe pas një hulumtimi dhe raporti të detajuar profesional, i cili shërbeu si bazë për nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Shtetit.

 

Ministrja theksoi se nuk ka kënaqësi më të madhe sesa kur puna e nisur në Kuvend vlerësohet nga institucioni më i lartë arsimor në vend – Universiteti i Prishtinës. Ajo ritheksoi zotimin se angazhimi do të vazhdojë deri në rregullimin e plotë ligjor të çdo metri të kampusit universitar, duke nënvizuar se pronat e UP-së i takojnë dijes dhe jo interesave të ngushta.

 

Gjatë takimit me rektorin, palët u dakorduan që ky të jetë fillimi i një kapitulli të ri bashkëpunimi, ku ekspertiza e Universitetit të Prishtinës dhe vizioni i Ministrisë do të ecin paralelisht në proceset e ardhshme institucionale.

 

04.03.2026

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapesinor

Lexo më shumë