Ministri Aliu vizitë në Massachusetts Institute of Technology (MIT)
Diskutime për projektet tona me studiuesit e (MIT), njërit prej universiteteve më të mira në botë.
Gjatë vizitës time në Massachusetts Institute of Technology (MIT), zhvillova takime të rëndësishme me hulumtues e studiues të mirënjohur të planifikimit hapësinor e arkitekturës, të cilët kanë shprehur interesimin e tyre që të jenë pjesë e transformimit në Kosovë.
Për të mos i përsëritur gabimet e të kaluarës, dhe për t’i dhënë kahjen e duhur zhvillimit urban të Kosovës, na duhen këshillat dhe përvojat e studiuesve prej universiteteve më të mira në botë, siç është MIT.
Bashkëbiseduam për një gamë të gjerë temash të cilat aktualisht janë në tryezën e punës të Qeverisë së Kosovës:
- Mundësitë për investime të reja në zonat urbane të Kosovës
- Databazën e Sistemit Informatik Gjeografik (GIS), që do të mundësojë qasjen e secilit online në hartat pronësore dhe informacionet mbi secilën parcelë të tokës në Kosovë
- Krijimin e databazës për energji solare
- Procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje
- Ndërtimin e databazës gjeohapësinore për energji të ripërtëritshme në Kosovë.
Biseduam edhe me Dekanin e Shkollës së Arkitekturës dhe Planifikimit (MIT) z. Hashim Sarkis dhe shprehëm vullnetin që studentët tanë dhe profesionistët e Institutit të Planifikimit Hapësinor të Kosovës, ta kenë mundësinë t’u ekspozohen trajnimeve të ndryshme dhe teknikave më të fundit të planifikimit, në funksion të qëndrueshmërisë urbane dhe zhvillimit të qëndrueshëm, e njashtu edhe për nxitjen e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit tonë.
