Lajmet

12 janar 2023

Ministri Aliu vizitë në Massachusetts Institute of Technology (MIT)

Diskutime për projektet tona me studiuesit e (MIT), njërit prej universiteteve më të mira në botë. 

 

Gjatë vizitës time në Massachusetts Institute of Technology (MIT), zhvillova takime të rëndësishme me hulumtues e studiues të mirënjohur të planifikimit hapësinor e arkitekturës, të cilët kanë shprehur interesimin e tyre që të jenë pjesë e transformimit në Kosovë. 

 

Për të mos i përsëritur gabimet e të kaluarës, dhe për t’i dhënë kahjen e duhur zhvillimit urban të Kosovës, na duhen këshillat dhe përvojat e studiuesve prej universiteteve më të mira në botë, siç është MIT.

 

Bashkëbiseduam për një gamë të gjerë temash të cilat aktualisht janë në tryezën e punës të Qeverisë së Kosovës: 

 

  • Mundësitë për investime të reja në zonat urbane të Kosovës 
  • Databazën e Sistemit Informatik Gjeografik (GIS), që do të mundësojë qasjen e secilit online në hartat pronësore dhe informacionet mbi secilën parcelë të tokës në Kosovë 
  • Krijimin e databazës për energji solare 
  • Procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje 
  • Ndërtimin e databazës gjeohapësinore për energji të ripërtëritshme në Kosovë. 

 

Biseduam edhe me Dekanin e Shkollës së Arkitekturës dhe Planifikimit (MIT) z. Hashim Sarkis dhe shprehëm vullnetin që studentët tanë dhe profesionistët e Institutit të Planifikimit Hapësinor të Kosovës, ta kenë mundësinë t’u ekspozohen trajnimeve të ndryshme dhe teknikave më të fundit të planifikimit, në funksion të qëndrueshmërisë urbane dhe zhvillimit të qëndrueshëm, e njashtu edhe për nxitjen e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit tonë.

Lexo dhe:

Në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), është duke u zhvilluar projekti

Në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), është duke u zhvilluar projekti: 

”Hartat e Rrezikut nga Përmbytjet dhe Hartat e Rrezikut nga Vërshimet për të gjitha pellgjet e lumenjve në Kosovë”.

  • Projekti është duke u finacuar nga WBIF, Banka Evropiane e Investimeve (EIB), dhe Banka e Këshillit të Evropës për Zhvillim (CEB).
  • Granti u miratua nga Komiteti Drejtues i 24-të i WBIF(SC), në Qershor të vitit 2021, me një vlerë totale prej 2,500.000€. 
  • Projekti ka filluar me datë 27.06.2022, dhe kohëzgjatja e parashikuar për implementimin e projektit është 20 muaj.

Hartat e Rrezikut nga Përmbytjet, do të ofrojnë informacione të detajuara për zonat që janë me rrezik të ulët, të mesëm dhe të lartë nga përmbytjet, dhe po ashtu informacione për zonën e përmbytur, thellësinë e ujit, nivelin e ujit dhe shpejtësinë e përmbytjes ose rrjedhën përkatëse sipas rastit eventual. 

 

Për më shumë, Hartat e Rrezikut nga Përmbytjet do të tregojnë pasojat negative që mund të shkaktojnë përmbytjet duke vlerësuar kështu: 

 

  • numrin e banorëve potencialisht të cenueshëm nga përmbytjet; 
  • llojin e aktivitetit ekonomik potencialisht në rrezik nga përmbytjet; 
  • instalimet industriale që mund të shkaktojnë ndotje aksidentale gjatë përmbytjeve dhe zonat e mbrojtura që mund të jenë në rrezik nga përmbytjet; dhe;
  • çdo informacion tjetër që mund të konsiderohet i dobishëm, si p.sh. vendndodhjet e zonave ku përmbytjet mund të depozitojnë sasi të mëdha sedimentesh, dhe informacion mbi burime të tjera ndotjeje. Në një fazë të mëvonshme, planet e menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet do të japin më shumë informacione për  masat që do të ndërmerren për reduktimin e ndikimeve të dëmshme dhe pasojave të përmbytjeve në shëndetin e njeriut, mjedisin, trashëgiminë kulturore dhe aktivitetin ekonomik dhe nëse konsiderohet e përshtatshme, për ato jostrukturore, nisma për të reduktuar mundësinë e shfaqjes së përmbytjeve.
Lexo më shumë

Ministria e Mjedisit shënon Ditën Botërore për Mbrojtjen e Kafshëve

Me rastin e 4 Tetorit, “Ditës Botërore për Mbrojtjen e Kafshëve”, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, OJQ-në Fondacioni për Mbrojtjen e të Drejtave të Kafshëve si dhe Fondacioni për mbrojtjen e kafshëve VIER PFOTEN Kosova/PYLLI I ARINJVE Prishtina, kanë shënuar këtë ditë në Pyllin e Arinjve Prishtina, Fshati Mramor, afër liqenit të Badovcit.

 

Besmir Kokollari – Kryesues i Këshillit Organizativ nga MMMPHI theksoi: Dita Botërore e Kafshëve u themelua me vizionin e krijimit të vetëdijes për mizorinë ndaj kafshëve dhe promovimit të dhembshurisë dhe respektit më të madh për kafshët përmes edukimit dhe ndërgjegjësimit. Qëllimi është t'i jepet fund abuzimit të kafshëve dhe të promovohet ruajtja dhe përdorimi i përgjegjshëm i tyre. Tema e Ditës Botërore për mbrojtjen e Kafshëve për vitin 2022 është "Planeti i përbashkët". Tema thekson faktin se bota i përket çdo krijese të gjallë dhe jo vetëm njerëzve.

 

Kosova hynë në radhën e vendeve me faunë më të pasur dhe më heterogjene të Gadishullit Ballkanik. Kjo pasuri faunistike është rezultat i ndikimeve të shumta të regjionit mesdhetar, euro-siberian dhe atij nordiko-alpin, si dhe i ndryshimeve të shpeshta të kushteve ekologjike nga e kaluara.

 

Në vendin tonë mund të gjenden lloje të gjitarëve dhe shpendëve e që janë mjaftë të rralla për rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Disa prej tyre janë relikte e të kërcënuara nga zhdukja dhe për këtë arsye gjenden në listat dhe konventat ndërkombëtare.

Sipas agjendës u vazhdua edhe me prezantimet ku z. Sadik Heta, Drejtoria e Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve AUV Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë i cili theksoi se Dita Boterore e kafshëve ka pasur sukses te madh ne përmirësimin e jetës së kafshëve p.sh. në Kosovë është future ne kodin penal Mbrojtja e kafshëve si: Ligji për kujdesit ndaj kafshëve, ligji i Veterinarisë dhe aktet tjera nënligjore.  

Përderisa znj. Teuta Fazliu, kryesuese e grupit punues për hartimin e Strategjisë Kombëtare dhe Plani i Veprimit për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve me dhe pa Pronar prezantoi ecurinë e grupit punues lidhur me këtë strategji.

Ndërsa Afrim Mahmuti nga Pylli i arinjve në pika të shkurtra prezantoi punën ndër vite si vend ku janë strehuar të gjithë arinjtë të cilët për vite të tëra kanë qenë të shpërndarë dhe keqtrajtuar në gjithë Kosovën ndërsa tani mund ta shihni se këta arinj kane një kujdes të duhur.

Pas prezantimeve pat diskutime të ndryshme nga të pranishmit dhe u vazhdua me ecje në shtegun e pyllit të arinjve.

Lexo më shumë