Lajmet

12 janar 2023

Ministri Aliu pret në takim Ambasadoren e Izraelit në Kosovë, znj. Tammy Ziv

Sot, prita në takim Ambasadoren e Izraelit në Kosovë, znj. Tammy Ziv. Ambasadores i urova mirëseardhje në Prishtinë, njëherazi e urova për detyrën e re të saj, atë të ambasadores së parë të Izraelit në Kosovë. Në kuadër të këtij takimi e njoftova me punën dhe angazhimin tonë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, dhe diskutuam në përgjithësi mbi marrëdhëniet dy-palëshe në mes dy vendeve tona, si në nivelin politik, ashtu edhe atë ekonomik. 

Në frymën e thellimit të bashkëpunimit tonë, potencuam vullnetin e të dyja vendeve për çështje me interes të përbashkët, veçanërisht në sektorin e ujërave, me ç’rast diskutuam për bashkëpunimin e ndërsjellë të mundshëm për projekte që do të ndikonin në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore.

Lexo dhe:

Po bëjmë realitet një tjetër premtim për të cilin jemi angazhuar bashkë me Ministrin e MAPL-së, z. Elbert Krasniqi

Po bëjmë realitet një tjetër premtim për të cilin jemi angazhuar bashkë me Ministrin e MAPL-së, z. Elbert Krasniqi

 

Sapo nënshkruam marrëveshjen për financimin e projektit të rregullimit të rrjetit të ujësjellësit në Komunën e Fushë Kosovës, për lagjen 028 dhe 029, Bardhin e Madh, si dhe fshatin Sllatinë e Madhe. 

 

Projekti synon që të ndikojë në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve  dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore, në kuadër të përkrahjes së komunave. 

 

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të bëjë financimin e projektit dhe pagesat për vlerën e financimit do të bëhen në bazë të realizimit të punimeve sipas kushteve të kontratës. 

 

Vlera e projektit është 1.000.000,00 €, ku në vitin 2022 do të financohet shuma 300.000,00 € dhe në vitin 2023 është paraparë financimi i vlerës prej 700.000,00 €. 

Lexo më shumë

Në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), është duke u zhvilluar projekti

Në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), është duke u zhvilluar projekti: 

”Hartat e Rrezikut nga Përmbytjet dhe Hartat e Rrezikut nga Vërshimet për të gjitha pellgjet e lumenjve në Kosovë”.

  • Projekti është duke u finacuar nga WBIF, Banka Evropiane e Investimeve (EIB), dhe Banka e Këshillit të Evropës për Zhvillim (CEB).
  • Granti u miratua nga Komiteti Drejtues i 24-të i WBIF(SC), në Qershor të vitit 2021, me një vlerë totale prej 2,500.000€. 
  • Projekti ka filluar me datë 27.06.2022, dhe kohëzgjatja e parashikuar për implementimin e projektit është 20 muaj.

Hartat e Rrezikut nga Përmbytjet, do të ofrojnë informacione të detajuara për zonat që janë me rrezik të ulët, të mesëm dhe të lartë nga përmbytjet, dhe po ashtu informacione për zonën e përmbytur, thellësinë e ujit, nivelin e ujit dhe shpejtësinë e përmbytjes ose rrjedhën përkatëse sipas rastit eventual. 

 

Për më shumë, Hartat e Rrezikut nga Përmbytjet do të tregojnë pasojat negative që mund të shkaktojnë përmbytjet duke vlerësuar kështu: 

 

  • numrin e banorëve potencialisht të cenueshëm nga përmbytjet; 
  • llojin e aktivitetit ekonomik potencialisht në rrezik nga përmbytjet; 
  • instalimet industriale që mund të shkaktojnë ndotje aksidentale gjatë përmbytjeve dhe zonat e mbrojtura që mund të jenë në rrezik nga përmbytjet; dhe;
  • çdo informacion tjetër që mund të konsiderohet i dobishëm, si p.sh. vendndodhjet e zonave ku përmbytjet mund të depozitojnë sasi të mëdha sedimentesh, dhe informacion mbi burime të tjera ndotjeje. Në një fazë të mëvonshme, planet e menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet do të japin më shumë informacione për  masat që do të ndërmerren për reduktimin e ndikimeve të dëmshme dhe pasojave të përmbytjeve në shëndetin e njeriut, mjedisin, trashëgiminë kulturore dhe aktivitetin ekonomik dhe nëse konsiderohet e përshtatshme, për ato jostrukturore, nisma për të reduktuar mundësinë e shfaqjes së përmbytjeve.
Lexo më shumë