Prej sot, nis funksionalizimi i shërbimeve kadastrale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan
Sot, bashkë me kolegë dhe bashkëpunëtorë, vizituam komunën e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, me ç’rast takuam kryetarët e komunave përkatëse për të bërë lansimin e funksionalizimit të shërbimeve kadastrale, kështu duke hapur në secilën komunë Zyret Kadastrale Komunale.
Qytetarët e komunave në veri nuk do kenë më nevojë që të vijnë tek sportelet e Agjencionit Kadastral të Kosovës, por do kenë Zyrat Kadastrale Komunale në funksion të tyre, ku do të mund të marrin shërbimet kadastrale në komunën e tyre, fillimisht Certifikatën e Pronësisë dhe Kopjen e Planit, e më vonë edhe shërbimet tjera.
Në drejtim të forcimit të shërbimeve komunale, lehtësimit të punës, dixhitalizimit dhe ofrimit të mëtutjeshëm të mbështetjes për qytetarët e komunave përkatëse, sot përveç takimit me kryetarë, takuam qytetarë, të cilëve për herë të parë ju shpërndamë Certifikatat e Pronësisë.
Falënderoj të gjithë qytetarët e komunave përkatëse, kryetarët Erden Atiq, Lulzim Hetemi, Izmir Zeqiri, Ilir Peci, për mikpritjen dhe bashkëpunimin e tyre, si dhe të gjithë ekspertët nga Agjencioni Kadastral i Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme për një bashkëpunim të shkëlqyer në arritjen e sigurimit të pajisjeve teknologjike dhe infrastrukturës përcjellëse, në mënyrë që të funksionalizojmë zyrat kadastrale në këto komuna, pas plot 23 viteve.
Jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës.