Administrimi i tokës dhe politikat ndërlidhur me tokën janë fundamentale për një qeverisje të mirë, për rritje të qëndrueshmërisë ekonomike, sigurisë së përgjithshme, ngritjes së mirëqenies sociale si dhe hapjes së mundësive ekonomike për të gjithë qytetarët e Republikës.
Informacionet kadastrale janë kyçe për krijimin e infrastrukturës hapësinore, në nivel lokal dhe kombëtar, në mënyrë gjithëpërfshirëse, me qëllim të aplikimit të gjerë në vendimmarrje, në përcaktimin e politikave sociale, si dhe mbrojtjen e mjedisit.
Si Qeveri kemi krijuar mekanizma efektiv për sektorët e planifikimit hapësinor, banimit, bujqësisë, pylltarisë, kadastrit, minierave, infrastrukturës, statistikave dhe fushave të tjera të administrimit të tokës. Tani është themeluar dhe funksionalizuar Komiteti ndërministror për Administrimin e Tokës, i cili e ka për qëllim harmonizimin e politikave për krijimin e Infrastrukturës kombëtare për informacione hapësinore.
Si Qeveri kemi bërë zhvillime të dukshme në Administrimin e Tokës, ku tani janë shtuar të ardhurat nga tatimi i tokës, po shtohet numri i pronave në emër të pronarëve aktual, po harmonizohet gjendja faktike e tokës në terren me gjendjen e saj në dokumente pronësore, po trajtohen objektet pa leje, po administrohet planifikimi hapësinor, po investohet në zhvillimin rural e urban, si dhe po avancohet më tutje legjislacioni.
Me takimin e sotshëm, të parin të tillë në Republikën e Kosovës, po shënojmë prioritizimin dhe qasjen serioze të Qeverisë ndaj Administrimit të Tokës, krijimit të Infrastrukturës Kombëtare për Informacion Hapësinor, si dhe ofrimin e mbështetjes së plotë për Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Komitetin Ndërministror dhe institucioneve tjera ndërlidhëse që njëherit përbëjnë strukturën koordinuese kombëtare të Informacionit Hapësinor të Kosovës.