U prezantua lista prioritare e projekteve për sektorin e transportit
Sot u mbajt takimi me partnerët tanë zhvillimorë për prezantimin e listës prioritare të projekteve për sektorin e transportit.
Patëm diskutim konstruktiv e të frytshëm me përfaqësuesit e përfaqësive diplomatike dhe insitucioneve financiare rreth planit afatgjatë, gjithëpërfshirës e të qëndrueshëm për sektorin e transportit, me ç’rast prezantuam listën prioritare të projekteve për sektorin e transportit, respektivisht projekteve të nënsektorit hekurudhor, rrugor dhe atij ajror.
Lista prioritare e projekteve për sektorin e transportit ka 19 (nëntëmbëdhjetë) projekte:
9 (nëntë) të nënsektorit hekurudhor;
9 (nëntë) të nënsektorit rrugor; dhe
1 (një) të nënsektorit ajror.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, sa i përket fushës së transportit që nga fillimi ka përcaktuar objektiva të qarta të integrimit të rrjetit të Transportit të Kosovës në rrjetin rajonal dhe atë të BE-së. Në këtë kontekst, jemi fokusuar në realizimin e të gjitha detyrave të cilat janë të domosdoshme për arritjen e caqeve drejtë këtij integrimi në dy fusha kryesore:
Në fushën e hartimit të legjislacionit primarë dhe sekondarë i cili është në përputhshmëri të plotë me legjislacionin e BE-së; si dhe
Në modernizimin e rrjetit hekurudhor, atij rrugor dhe zhvillimin e aviacionit civil, ashtu që infrastruktura e këtyre nënsektorëve t’i plotësojë të gjitha standardet e BE-së.
Ne mbesim të përkushtuar në implementimin e planit tonë për realizimin e projekteve që do të kontribuojnë në zhvillim të qëndrueshëm dhe ekonomik, qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, ruajtjen e mjedisit, rritjen e sigurisë, ofrimin e shërbimeve cilësore, si dhe në punësim dhe integrim.
Kjo listë përfundimtare e projekteve do të miratohet nga Komisioni për Planifikim Strategjik, që kryesohet nga Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti.