Lajmet

16 janar 2025

Ministri Aliu mbajti takim me Ambasadën e Zvicrës, Ambasadën e Gjermanisë dhe GIZ-in

Ministri Aliu mbajti takim me Ambasadën e Zvicrës, Ambasadën e Gjermanisë dhe GIZ-in, ku diskutuam për projektin e ri për planifikimin hapësinor të qëndrueshëm brenda projektit Kosova Green. Përmes këtij projekti do të reformohet korniza legjislative e planifikimit hapësinor për të standardizuar dhe lehtësuar planifikimin për projekte të energjisë së pastër, si dhe për të orientuar komunat në planifikimin hapësinor që merr parasysh rreziqet nga vërshimet.

Brenda 3 viteve të ardhshme, ky projekt do të mbështesë Institutin për Planifikimin Hapësinor dhe Departamentin e Planifikimit Hapësinor, Ndërtimit, dhe Banimit.

Lexo dhe:

Edhe në kushte të vështira atmosferike, trafiku ajror vazhdon të funksionojë pa ndërprerje

Aeroporti i Prishtinës është në shërbim gjatë tërë kohës, pasi ka të instaluar dhe funksional sistemin e avancuar të aterrimit ILS CAT IIIb, i cili mundëson aterime edhe në kushte të mjegullës së dendur, deri në dukshmëri minimale prej 50 metrash.

Fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij sistemi kanë ateruar me sukses, ndërsa ato fluturime pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar.

46 ardhje-shkuarje janë realizuar me sukses, ndërsa 12 janë anuluar në ardhje.

Lexo më shumë

Përkushtimi i MMPHI në aviacion po tregon rezultate konkrete

Me fokus në lehtësimin e shërbimeve të transportit ajror ndërkombëtar për diasporën dhe zhvillimin e turizmit, qeveria e Kosovës ka arritur të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmirësuar shërbimet ajrore për fluturimet mes Kosovës dhe Zvicrës, duke imponuar kushte për një konkurrencë të drejtë mes operatorëve ajror në këto linja, të cilat kanë reflektuar menjëherë në rritjen e numrit të fluturimeve dhe uljen e çmimit të biletave.
Pas realizimit të suksesshëm të procesit për dezignimin e një operatori ajror për fluturimet mes Kosovës dhe Zvicrës, me kritere specifike për linja të rregullta dhe numër fluturimesh, analizat kanë treguar se, përveç rritjes së numrit të fluturimeve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ky proces ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e çmimit të biletave. Krahasimi i çmimeve të biletave për periudhën me çmimet më të larta (Korrik-Gusht-Shtator 2023 dhe 2024) ka rezultuar se në vitin 2024 ka pasur një rënie prej 25-30%. Gjithashtu, statistikat tregojnë se në vitin 2024 me Zvicrën është rritur frekuenca me +400 fluturime dhe me 222 mijë udhëtarë më shumë.
Gjatë këtij mandati, qeveria e Kosovës duke e mbështetur këtë sektor edhe me investimet në infrastrukturën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, dhe politikat nxitëse të tregut, është arritur që gjatë katër vjetëve të fundit numri i udhëtarëve nga viti 2021 (2 milion e 180 mijë) deri në fund të vitit 2024 të tejkalojë shifrën e 4 milion udhëtarëve, pothuajse dyfish. Poashtu, numri i fluturimeve është rritur nga 16 mijë fluturime në vitin 2021 në 25 mijë fluturime në vitin 2024. Gjatë kësaj periudhe, janë hapur 16 destinacione të reja fluturimi dhe kanë hyrë në treg 12 operatorë ajrorë.
Së fundmi, në vitin 2024, qeveria e Kosovës nënshkroi marrëveshjen për shërbime ajrore me Mbretërinë e Arabisë Saudite, ku së shpejti do të fillojnë fluturimet direkte për turistë dhe pelegrinë nga të dyja vendet.
Ky progres tregon angazhimin e qeverisë jo vetëm për të siguruar shërbime ajrore të sigurta, por edhe mbrojtjen e interesit të publikut duke krijuar kushte sa më të volitshme për qytetarët e Kosovës dhe në favor të zhvillimit të turizmit.
Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që në afat sa më të shpejtë të krijohet edhe një Kompani Ajrore vendëse që do të mundësoj lehtësira edhe më të favorshme për qytetarët tanë.
Lexo më shumë