Zgjatet afati për dorëzimin e aplikimeve për legalizimin e ndërtimeve pa leje
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës njofton të gjithë qytetarët se Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje tashmë ka hyrë në fuqi dhe nga data 1 shtator 2023, është hapur afati për dorëzimin e aplikimeve për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Ky afat është zgjatur deri më datën 31 dhjetor 2025, dhe të gjithë qytetarët mund të aplikojnë në komunat e tyre përkatëse.
Programi i Qeverisë së Kosovës për trajtimin e ndërtimeve pa leje (programi i legalizimit) është një iniciativë e rëndësishme që prodhon përfitime të prekshme për qytetarët e Kosovës, përfshirë këtu sqarimin e të drejtave pronësore përmes regjistrimit në Kadastër dhe Regjistrin e të Drejtave në Pronë të Paluajtshme (RDPP), si dhe zhbllokimin e kapitalit aktualisht të kyçur në ndërtimet pa leje i cili mund të përdoret për të nxitur rritjen ekonomike.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës inkurajon të gjithë qytetarët të mos humbasin këtë mundësi, dhe të aplikojnë për legalizimin e ndërtimeve pa leje.