Ministri Aliu gjatë vizitës në Podgoricë takoi zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, njëherit Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të këtij shteti, z. Nik Gjeloshaj
Gjatë vizitës së sotme në Podgoricë, bashkë me Ambasadoren e Republikës së Kosovës znj. Ariana Zherka Hoxha, zhvilluam një takim të rëndësishëm me Zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, njëherit Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të këtij shteti, z. Nik Gjeloshaj.
Me të bashkëbiseduam për përgjegjësitë dhe fushat të cilat i mbulojmë dhe prioritetet tona të cilat lidhen me fushën e transportit. Në veçanti diskutuam për domosdoshmërinë e hapjes së koridoreve ajrore në mes të dy Republikave, hap i cili do të ndikonte në shkurtimin e kohës së fluturimit me linjat të cilat e lidhin vendin tonë me Evropën Perëndimore, e që rrjedhimisht do të ndikonte dhe në uljen e çmimit të biletave për udhëtarët.
Gjithashtu, diskutuam për rëndësinë e bashkëpunimit në realizimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore, të cilat përveç ndikimit në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, do të ndikonin edhe në zhvillimin e turizmit të gjelbër, të të dyja vendeve. Konkretisht biseduam për rëndësinë e realizimit të projekteve infrastrukturore: Deçan - Plavë , Pejë - Çakorr - Murinë dhe Tunelin e Rozhajës.
Falënderim të veçantë për z. Gjeloshaj, për angazhimin dhe punën e tij të palodhshme, e po ashtu për bindjen dhe interesin e përbashkët që t'i shtyejmë përpara shumë projekte të përbashkëta.