Lajmet

08 shkurt 2024

Zhbllokohet projekti i rrugës Prishtinë-Mitrovicë.


Sot në konferencë për media, bashkë me zv. Ministrin Durmishi, prezantuam vendimin e shumëpritur të nënshkrimit të kontratës së Projektit të Rrugës Nacionale Prishtinë - Mitrovicë.

Më datën 2 tetor 2023, publikuam njoftimin për dorëzimin e ofertave për ekzekutimin e punimeve në Projektin e Rrugës Nacionale N2 Prishtinë - Mitrovicë, segmenti nga Lumi i Madh deri në Gojbulë, me një gjatësi prej 9.78 km, e sot, nënshkruam kontratën për fillimin e punimeve.

Punët ndërtimore përfshijnë zgjerimin e rrugës ekzistuese, duke e transformuar atë nga një rrugë me dy korsi në një rrugë me dy drejtime të ndara, secila me dy korsi të gjerë 3.75 m, dhe korsi ndihmëse në të dyja anët me gjerësi 2.0 m, si dhe objekte dhe struktura infrastrukturore të tjera (vepra të artit/ura).

Ky projekt financohet nga huamarrja nga Fondi i OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar (OPEC Fund) në bashkëfinancim me Fondin Saudit për Zhvillim (Saudi Fund for Development SFD), me një vlerë kontrate prej 25 milion € dhe kohëzgjatje ekzekutimi prej 12 muajsh.

Operatori Ekonomik është konsorciumi "JV HYDROSTROY JSC SOFIA & ESKAVATORI LLC" nga Bullgaria dhe Kosova. Gjithashtu, Kompania "IC Consulenten" nga Austria është angazhuar për mbikëqyrjen e punimeve në këtë segment, duke kryer rolin e Inxhinierit të pavarur për mbikëqyrjen e ekzekutimit të të gjitha punimeve.

 

Lexo dhe:

U mbajt takimi i ministrit z.Aliu me Ambasadorin e Belgjikës në Kosovë, z. Grégoire Cuvelier

Sot, pritëm në takim Ambasadorin e Belgjikës në Kosovë, z. Grégoire Cuvelier. Ambasadorit i urova mirëseardhje në Prishtinë, njëherazi për detyrën e tij të re. Në kuadër të këtij takimi e njoftova me punën, të arriturat, sfidat dhe angazhimin tonë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, dhe diskutuam në përgjithësi mbi marrëdhëniet dy-palëshe në mes dy vendeve tona, si në nivelin politik, ashtu edhe atë ekonomik.

Në frymën e thellimit të bashkëpunimit tonë, potencuam vullnetin e të dyja vendeve për çështje me interes të përbashkët, veçanërisht në sektorin e mjedisit, me ç’rast diskutuam për bashkëpunimin e ndërsjellë e të mundshëm për projektet mjedisore që do të ndikonin në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore ndaj tyre.

 

Lexo më shumë

Lajm tejet i mirë përfundimi i Shpronësimit për Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana

Lajm tejet i mirë përfundimi i Shpronësimit për Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana.
Pas vendimit të parë të datës 12 Tetor, 2023, kur edhe nisi procesi i shpronësimit të pronave, sot në mbledhjen e Qeverisë, miratuam vendimet përfundimtare të shpronësimit për realizimin e Projektit të Lokalitetit Arkeologjik Ulpiana.
Marrë parasysh rëndësinë e trashëgimisë arkeologjike, Qeveria jonë i ka ndërmarrë të gjitha hapat e duhura për mbrojtjen dhe promovimin e këtij lokaliteti, njëherit mbishkrimit i cili paraqet një dëshmi shumë të rrallë të historisë dhe lashtësisë së Popullit Shqiptar.
Lexo më shumë