Zhbllokohet projekti i rrugës Prishtinë-Mitrovicë.
Sot në konferencë për media, bashkë me zv. Ministrin Durmishi, prezantuam vendimin e shumëpritur të nënshkrimit të kontratës së Projektit të Rrugës Nacionale Prishtinë - Mitrovicë.
Më datën 2 tetor 2023, publikuam njoftimin për dorëzimin e ofertave për ekzekutimin e punimeve në Projektin e Rrugës Nacionale N2 Prishtinë - Mitrovicë, segmenti nga Lumi i Madh deri në Gojbulë, me një gjatësi prej 9.78 km, e sot, nënshkruam kontratën për fillimin e punimeve.
Punët ndërtimore përfshijnë zgjerimin e rrugës ekzistuese, duke e transformuar atë nga një rrugë me dy korsi në një rrugë me dy drejtime të ndara, secila me dy korsi të gjerë 3.75 m, dhe korsi ndihmëse në të dyja anët me gjerësi 2.0 m, si dhe objekte dhe struktura infrastrukturore të tjera (vepra të artit/ura).
Ky projekt financohet nga huamarrja nga Fondi i OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar (OPEC Fund) në bashkëfinancim me Fondin Saudit për Zhvillim (Saudi Fund for Development SFD), me një vlerë kontrate prej 25 milion € dhe kohëzgjatje ekzekutimi prej 12 muajsh.
Operatori Ekonomik është konsorciumi "JV HYDROSTROY JSC SOFIA & ESKAVATORI LLC" nga Bullgaria dhe Kosova. Gjithashtu, Kompania "IC Consulenten" nga Austria është angazhuar për mbikëqyrjen e punimeve në këtë segment, duke kryer rolin e Inxhinierit të pavarur për mbikëqyrjen e ekzekutimit të të gjitha punimeve.