Ministrja Fitore Pacolli: Ujërat janë prioritet në mandatin tonë qeverisës
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, znj. Fitore Pacilli bashkë me zëvendësministrin Avni Zogiani dhe Inspektoratin Mjedisor ishin në terren sot në pellgun ujor të lumit Lepenc për të parë nga afër procesin e kontrollit dhe inspektimit të hidrocentraleve dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e mjedisit dhe resurseve ujore.
Qëllimi i kësaj vizite ishte të vlerësohet se aktiviteti i këtyre operatorëve zhvillohet në përputhje të plotë me lejet mjedisore dhe ujore të lëshuara, si dhe me standardet teknike dhe ligjore të përcaktuara.
Gjatë vizitës ministrja Pacolli para mediave tha se “Ne tash jemi një ekip i ri në Ministri dhe kemi planet tona. Është e rëndësishme që të vendoset ligjshmëria, pra të sigurojmë që respektohet ligji në të gjithë sektorët që i mbulon Ministria. Njëri prej sektorëve që i mbulon Ministria dhe që është jashtëzakonisht i rëndësishëm, si dhe pjesë e prioritetit tonë, janë ujërat. Do të fokusohemi që ujërat e shtetit të Kosovës të shfrytëzohen në mënyrën më të qëndrueshme të mundshme, pra të mos keq shfrytëzohen dhe të mos keq menaxhohen. Mbrojtja e lumenjve dhe mbrojtja e ujërave të Kosovës është fokusi ynë kryesor”.
03.03.2026
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
