Në Brod të Dragashit u mbajt kampi rajonal “UNDER ONE SKY – Astronomy Youth Peace-Camp 2025
Nën një qiell të përbashkët, për një të ardhme të gjelbër dhe të ndriçuar nga dija!
Nga data 20 deri më 22 qershor 2025, në Brod të Dragashit u mbajt kampi rajonal “UNDER ONE SKY – Astronomy Youth Peace-Camp 2025”, organizuar nga Astronomy Club of Kosova (ACK) me mbështetjen e RYCO/RYCOnnecting You(th) dhe me përkrahjen e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Kampi mblodhi së bashku të rinj nga i gjithë Ballkani Perëndimor, përfshirë përfaqësues nga rrjeti Young European Ambassadors (YEA), për të promovuar bashkëpunimin ndëretnik, edukimin shkencor dhe vetëdijësimin për mbrojtjen e mjedisit.
Aktivitetet përkuan simbolikisht me Solsticin e Verës dhe Javën e Mjedisit, duke sjellë në qendër të vëmendjes fuqinë që ka shkenca për të bashkuar të rinjtë në frymë paqeje dhe qëndrueshmërie.
Përgëzoj ekipin e ACK, Shoqatën për Kërkim-Shpëtim, Policinë Rajonale të Dragashit, partnerët vendorë e ndërkombëtarë, dhe të gjithë të rinjtë pjesëmarrës për përkushtimin dhe entuziazmin e tyre. Ky kamp ishte një shembull se si nën një qiell të përbashkët, mund të ndërtojmë ura të reja bashkëpunimi, dije dhe shprese.