Sot, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu, bashkë me Alessandro Bianciardi, Zëvendës-shef i Bashkëpunimit në zyrën e BE-së në Kosovë, si dhe Vera Baumann, Shefe e Bashkëpunimit në Ambasadën Gjermane, mbajtën një konferencë të përbashkët për media, ndërlidhur me aktin e sapomiratuar nënligjor mbi "Ambalazhin dhe Mbeturinat e Ambalazhit“ si dhe për lansimin e fushatës “Reduktimi i Qeseve Plastike".
Kjo arritje e rëndësishme në politikat mjedisore të Kosovës bëhet e mundur nëpërmjet financimit të përbashkët të BE-së dhe Qeverisë Gjermane, si pjesë e një projekti në vazhdimësi. Ministri Aliu shprehu rëndësinë e këtyre nismave përfshirë fushëveprimin, të drejtat, përgjegjësitë, kriteret dhe procedurat për prodhuesit, importuesit, shitësit dhe të tjerë akterë të përfshirë në menaxhimin e mbeturinave të ambalazhit dhe ambalazhin, dhe falënderoi Bashkimin Evropian dhe Qeverinë Gjermane për përkrahjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e ndërsjellë.
"Akti nënligjor i miratuar rishtazi shënon një hap të rëndësishëm drejtë avancimit të Agjendës së Gjelbër të Republikës së Kosovës, si dhe legjislacionit të BE-së. Zbatimi i këtij udhëzimi do të fillojë me aktivitete që kanë për qëllim reduktimin e përdorimit të qeseve të lehta plastike, duke përfshirë Fushatën e Reduktimit të Qeseve Plastike, e cila do të japë informacion mbi procesin e zbatimit të legjislacionit dhe të sensibilizojë konsumatorët dhe palët e tjera të interesuara për dëmin mjedisor të shkaktuar nga qeset plastike dhe rëndësinë e përdorimit të alternativave të ripërdorueshme dhe miqësore.”, theksoi Aliu.
Alessandro Bianciardi, Zëvendës-shef i Bashkëpunimit në zyrën e BE-së në Kosovë , theksoi se BE-ja në Kosovë mbështet zhvillimin dhe zbatimin e legjislacionit, i cili ndihmon në mbrojtjen e mjedisit dhe e bën ekonominë qarkore realitet në Kosovë. "BE është krenare të qëndrojë sot këtu së bashku me Gjermaninë dhe Kosovën në mbështetjen e zhvillimit dhe zbatimit të aktit nënligjor mbi "Ambalazhin dhe mbeturinat e ambalazhit“ dhe Fushatën "Reduktimi i qeseve plastike". Zbatimi i këtij akti të ri nënligjor është hapi i duhur drejt aplikimit të masave për zvogëlimin e të gjitha produkteve plastike me përdorim të vetëm, të cilat do të kenë ndikim pozitiv në mjedisin dhe shëndetin e popullit të Kosovës.
Vera Baumann, Shefe e Bashkëpunimit në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, tha: "Gjermania, nëpërmjet GIZ, mbështet plotësisht Kosovën për të siguruar një të nesërme më të gjelbër. Së bashku me partnerët tanë të vlerësuar të BE-së, ne po mbështesim nismat që nxisin ndërgjegjen mjedisore. Secili prej nesh që jeton këtu në Kosovë është përgjegjës të përdorë sa më pak qese plastike dhe t'i ripërdorë ato sa më shpesh që të jetë e mundur. Kompanitë prodhuese tani mund të shfrytëzojnë mundësinë për t'u përshtatur me standardet e BE-së dhe kështu të kontribuojnë në një të ardhme më të pastër për Kosovën. Si konsumatorë, të gjithë ne kemi fuqinë të vendosim për produkte që nuk janë të ambalazhuara, ose të paktën të ambalazhuara në mënyrë të qëndrueshme – duke bërë këtë, ne sigurojmë një mjedis të shëndetshëm – ajër të pastër, tokë të pastër dhe burime të pastra uji – në Kosovë për veten tonë, e aq më tepër për fëmijët tanë."
Ky akt nënligjor dhe Fushata e Reduktimit të Qeseve Plastike përbëjnë një hap drejtë një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më të përgjegjshme sa i përket mjedisit për Kosovën. Këto iniciativa theksojnë përkushtimin tonë për të nxitur një Kosovë më të pastër, më të gjelbër dhe më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.