Lajmet

29 tetor 2025

Edhe një hap i madh në mbrojtje të mjedisit: Nis investimi i parë për zbatimin e Strategjisë së Menaxhimit të Integruar të Mbeturinave

Është hapur thirrja për projektimin e projektit të parë në Kosovë që synon ndarjen dhe trajtimin e mbeturinave sipas standardeve bashkëkohore.

Ky projekt do të shërbejë për të gjitha komunat në juglindje të vendit, që përbëjnë Zonën e Pestë të Menaxhimit të Mbeturinave: Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Hani i Elezit, Shtime, Shtërpcë, Viti, Kllokot, Partesh, Novobërdë, Ranillug dhe Kamenicë.

Bëhet fjalë për investimin e parë të këtij lloji në vend. Sipas planifikimeve, të gjitha pesë zonat e menaxhimit të mbeturinave në Kosovë do të pajisen me projekte të ngjashme, duke kontribuar në ruajtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës për qytetarët.

Lexo dhe:

Republika e Kosovës vendos nën mbrojtje “Malin Mokna dhe Liqenin e Ujmanit”

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përmes ushtruesit të detyrës z. Hysen Durmishi, njofton opinionin publik se javën e kaluar është nënshkruar vendimi për mbrojtje paraprake të zonës “Mali Mokna dhe Liqeni i Ujmanit”, një nga vendimet më të rëndësishme për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë natyrore të Republikës së Kosovës.

Me këtë vendim, Kosova bëhet shteti me përqindjen më të lartë të territorit nën mbrojtje të natyrës në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Pas një studimi njëvjeçar në terren, është konstatuar se kjo zonë përbën pasuri të rrallë natyrore, me biodiversitet të lartë, ekosisteme të ndjeshme dhe peizazhe me rëndësi të veçantë ekologjike e shkencore.

Zona me sipërfaqe prej 192.19 km² tashmë vihet nën mbrojtje paraprake, duke e ngritur në 12.4% përqindjen e territorit të Kosovës që mbrohet ligjërisht.

Ky hap përfaqëson një arritje të madhe në drejtim të përmbushjes së objektivave kombëtare dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës, si dhe një angazhim të vendosur për ruajtjen e ekuilibrave natyrorë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Lexo më shumë

Ligji i ri për mbeturinat: drejt standardeve evropiane

Grupi Punues për Ligjin e ri për Menaxhimin e Mbeturinave po punon me përkushtim në reformat kyçe që do të përfshijë ky ligj, duke vlerësuar në veçanti përfshirjen e perspektivave nga të gjithë akterët e sektorit. Në këtë drejtim, bashkëbisedimi ynë i fundit u zhvillua me përfaqësues të komunave, sektorit privat si dhe kompanive rajonale e qendrore të menaxhimit të mbeturinave.

Përgjegjësia e Zgjeruar e Prodhuesve dhe reformat tjera të planifikuara u mirëpritën nga akterët kryesorë, duke konfirmuar vullnetin e përbashkët për një ligj që reformon sektorin, duke adresuar sfidat aktuale dhe duke avancuar përafrimin me acquis të Bashkimit Evropian.

Ishte kënaqësi dhe nder që në këtë prezantim dhe dialog i pranishëm të ishte edhe Ambasadori i ri i Gjermanisë, Sh. T. Rainer Rudolph. Kontributi dhe partneriteti me Qeverinë Gjermane kanë qenë përkrahja kryesore për reformat dhe investimet deri më tani në këtë sektor.

Lexo më shumë