Takimi në Komunën e Klinës, me kryetarin e komunës, z. Zenun Elezaj
Para tre vitesh, gjatë një takimi në Komunën e Klinës, kryetari i komunës, z. Zenun Elezaj, më pati shprehur rëndësinë që do të kishte ndërtimi i rrugës transiti i Klinës për qytetin. Sot pata kënaqësinë të shoh nga afër progresin që është arritur, falë mbështetjes dhe bashkëfinancimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Rruga transit, përveç se do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin dhe qasjen në zonat përreth, krijon qasje edhe për zonën arkeologjike të Dresnikut, duke ndërthurur zhvillimin infrastrukturor me rëndësinë kulturore dhe historike të vendit.
Në LOT-in 2 të këtij projekti, të cilin e vizituam bashkë me Kryetarin Elezaj, janë duke u realizuar punime në një gjatësi prej 1550 metrash që përfshin dy ura, trotuare dhe shtigje për biçikleta. Vlera e përgjithshme e projektit është rreth 8.5 milionë euro, ndërsa vetëm LOT-i 2 kap vlerën prej gati 2 milionë euro.