Nga tash e tutje MMPHI organizon trajnimin dhe dhënien e provimit për menaxher të transportit rrugor të udhëtarëve dhe mallrave dhe kualifikimin profesional për shofer profesionist
Nga tash e tutje MMPHI organizon trajnimin dhe dhënien e provimit për menaxher të transportit rrugor të udhëtarëve dhe mallrave dhe kualifikimin profesional për shofer profesionist.
Pas hyrjes në fuqi të udhëzimit të ri administrativ, janë nënshkruar edhe vendimet që rrjedhin nga ky UA. Me anë të këtij procesi synohet fuqizimi dhe ngritja e cilësisë së shërbimeve në fushën e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave për të mundësuar qasjen në tregun rajonal dhe europian.
Nga tani e tutje, të gjitha trajnimet dhe certifikimet përkatëse për kandidatët do të jenë shumëfish më të ulëta. Nga 300 euro, sa ishte kostoja e trajnimit dhe rilicensimit për menaxher për 10 vite me radhë, me hyrjen në fuqi të UA të përpiluar nga ne dhe vendimet e nxjerra, kandidatit do t'i kushtojë vetëm 35 euro për herë të parë dhe 15 euro për rilicensim.
Deri tani, ky proces është përcjellë me shkelje dhe dyshime për korrupsion. Nga viti 2009 deri në vitin 2023, nuk janë inkasuar mjetet në buxhetin e shtetit nga institucionet përkatëse për këto pagesa, ashtu siç parashihej në udhëzimin administrativ.
Nëse vetëm një kandidat ka paguar 300 euro, që nuk janë reflektuar si të hyra në buxhet, mund ta imagjinoni sa mjete është dëmi që i është shkaktuar shtetit. Ndonëse hetimet kanë nisur pas raportimit dhe iniciativës tonë para shumë kohësh, ende nuk ka asnjë veprim konkret nga ana e Prokurorisë.
Njoftohen të gjithë kandidatët që janë në listën e pritjes për t'u certifikuar apo rilicensuar që nga tani e tutje do ta kenë mundësinë t'i përfundojnë trajnimet dhe testimet e nevojshme në MMPHI, pra në departamentin përkatës.