Me rastin e shënimit të 8 Nëntorit “Ditës Botërore të Planifikimit të Qyteteve”, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përkatësisht Instituti për Planifikim Hapësinor, në partneritet me UN-Habitat Kosova u mbajt Tryezë e rrumbullakët me temën: Planifikimi Hapësinor si mjet për nxitjen e zhvillimit Ekonomik lokal. Pjesë e këtij takimi ishin përfaqësues të universitetit, zyrtarë nga niveli qendror dhe lokal i sektorit të Planifikimit Hapësinor, përfaqësues nga organizata të ndryshme dhe UN-Habitat, si dhe ekspertë të dalluar të fushës.
Takimi u hap me fjalë përshëndetëse nga z. Liburn ALIU, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, i cili tha: "Mjedisi i pastër, menaxhimi i integruar i burimeve ujore, politikat e transportit të qëndrueshëm dhe infrastrukturës miqësore ndaj mjedisit, hapat konkret në fushën e ndryshimeve klimatike, planifikimi i integruar hapësinor dhe zhvillimi i balancuar urban-rural për një zhvillim të qëndrueshëm të qyteteve dhe vendbanimeve tona do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e kualitetit e jetës për qytetarët e vendit tanë. Integrimi i tre sektorëve të rëndësishëm si Mjedisi, Planifikimi Hapësinor dhe Infrastruktura, janë reflektim i qasjes sonë të integruar në raport me trajtimin e këtyre fushave, rrjedhimisht edhe bashkëpunimi me institucionet e arsimit të lartë dhe akademinë është i domosdoshëm, për t’i shtuar dimensionin dhe bazën shkencore politikave, vendimeve, projekteve dhe aktiviteteve të përditshme" - tha ndër të tjera në fjalën e tij ministri Aliu.
Ndërsa, drejtori i IPH-së z. Luan Nushi, në prezantimin e tij paraqiti para pjesëmarrësve në tryezë gjetjet e para për disa nga indikatorët kryesor në procesin e filluar të hartimit të Planit të ri Hapësinor të Kosovës.
Me nga një fjale rasti u prezantuan edhe Ambasadori Suedez në Kosovë Jonas Westerlund, si dhe shefi i zyrës së UN-Habitat-it në Kosovë Esteben Leon.
Në hollin e ndërtesës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u hapë ekspozita me fotografi nga konkursi i organizuar me temën “Hapësirat e ri jetësuara: Nxitja e zhvillimit ekonomik lokal përmes transformimit hapësinor“, në të cilën janë shfaqura fotografitë më të suksesshme nga rreth 100 fotografi konkuruese. Juria profesionale pas përzgjedhjes prezantoi fotografitë fituese të konkursit:
Vendi i parë i takoj Gent Ademaj;
Vendi i dytë, Valdrin Fetahu; dhe
Vendi i tretë Arben Llapashtica dhe Lumnije Blakqori
Ekspozita do të jetë e hapur në hollin e ndërtesë së Qeverisë “Ish Rilindja” për një javë duke filluar nga nesër (10.11.22).