Ministri Liburn Aliu për vizitë në Hajvali
Sot ishim në Hajvali dhe u takuam me shumë qytetarë që banojnë pranë magjistrales Prishtinë-Gjilan, apo më saktësisht aksit rrugor Hajvali-Graçanicë. Qytetarët kanë shprehur ankesat e tyre për rrezikshmërinë në atë pjesë të rrugës, ku ka pasur vazhdimisht aksidente e fatkeqësi, dhe sigurisht se kanë të drejtë në ngritjen e shqetësimit dhe evidentimin e problemit. Ne si Ministri morëm përsipër që të veprojmë në dy faza.
Faza emergjente do të fillojë me vendosjen e sinjalistikës së domosdoshme, sinjalizimit vertikal e horizontal si dhe rregullimin e stacioneve të autobusëve, sepse sa më e mirë që të jetë sinjalistika, aq më të sigurta do të jenë rrugët për qytetarët. Faza e dytë ka të bëjë me zgjerimin dhe rregullimin e rrugës në segmentin Hajvali-Graçanicë, si dhe ndërtimin e Unazës, që do të bëhet me financim të BERZh-it, duke përmbushur kështu standardet e cilësisë dhe të sigurisë.
Edhe një herë apel për të gjithë vozitësit, që të respektoni rregullat e qarkullimit rrugor dhe të bëni kujdes të shtuar, sepse çdo nxitim e pakujdesi mund të dëmtojë rëndë jetën tuaj, apo të të tjerëve.