Lajmet

12 janar 2023

Ministri Liburn Aliu për vizitë në Hajvali

Sot ishim në Hajvali dhe u takuam me shumë qytetarë që banojnë pranë magjistrales Prishtinë-Gjilan, apo më saktësisht aksit rrugor Hajvali-Graçanicë. Qytetarët kanë shprehur ankesat e tyre për rrezikshmërinë në atë pjesë të rrugës, ku ka pasur vazhdimisht aksidente e fatkeqësi, dhe sigurisht se kanë të drejtë në ngritjen e shqetësimit dhe evidentimin e problemit. Ne si Ministri morëm përsipër që të veprojmë në dy faza. 

 

Faza emergjente do të fillojë me vendosjen e sinjalistikës së domosdoshme, sinjalizimit vertikal e horizontal si dhe rregullimin e stacioneve të autobusëve, sepse sa më e mirë që të jetë sinjalistika, aq më të sigurta do të jenë rrugët për qytetarët. Faza e dytë ka të bëjë me zgjerimin dhe rregullimin e rrugës në segmentin Hajvali-Graçanicë, si dhe ndërtimin e Unazës, që do të bëhet me financim të BERZh-it, duke përmbushur kështu standardet e cilësisë dhe të sigurisë.

 

Edhe një herë apel për të gjithë vozitësit, që të respektoni rregullat e qarkullimit rrugor dhe të bëni kujdes të shtuar, sepse çdo nxitim e pakujdesi mund të dëmtojë rëndë jetën tuaj, apo të të tjerëve.

Lexo dhe:

Ministri Aliu priti në takim ekspertë nga WBIF dhe EiB

Në kuadër të agjendës për ndryshime klimatike, prioriteti jonë është edhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike. Rrjedhimisht, jemi të angazhuar në vendosjen e bazës tekniko-shkencore për informim të politikbërjes ndaj ndryshimeve klimatike. 

 

Bashkë me Ekspertin për Politika Mjedisore të Këshillit Ndërministror për Ndryshime Klimatike, Agim Mazreku, pritëm delegacionin me ekspertë nga asistenca teknike e ofruar përmes WBIF dhe EiB për të diskutuar punën e tyre në përgatitje të hartave të rrezikshmërisë nga vërshimet dhe rrezikut nga përmbytjet për pellgjet lumore në Kosovë. Përveq modelimeve hidrologjike dhe metodologjisë sipas Direktivave të BE-së për Përmbytjet, rezultatet finale do marrin në konsideratë edhe ndikimin e ndryshimeve klimatike në vërshime.

 

Marrë parasysh që vërshimet ndikojnë në infrastrukturë dhe në bujqësi, kemi kërkuar dokumente shtesë që paralelisht informojnë ekipe të tjera që janë duke përgatitur strategji apo fizibilitete për projekte sikurse ai i hekurudhës. Modelimi do të jetë i hollësishëm në mënyrë që të minimizojmë dëmet ekonomike dhe ndikimet negative në jetesë të qytetarëve tanë.

Lexo më shumë

Vizita në terren e një grupi të zyrtarëve të Institutit për Planifikim Hapësinor në zonën jugore të PK “Sharri”

Aktualisht IPH ka filluar procesin e hartimit të Planit të ri Hapësinor të PK “Sharri”. Siç jeni në dijeni, tashmë është themeluar GPNM nga të cilët presim përkrahjen e nevojshme në ofrimin e të dhënave dhe rekomandimeve nga sektorët që përfaqësojnë. Deri më tash është krijuar një bazë e konsiderueshme e të dhënave, e cila duhet të harmonizohet edhe me të dhëna nga terreni. Në këtë drejtim, dje (02.11.2022) një grup i stafit të IPH-së i përkrahur edhe nga Drejtoria e PK “Sharri” kemi filluar daljen dhe vrojtimet e para nga terreni. Fokusi i kësaj vizite në terren ishte pjesa jugore e Parkut, e cila i përket Komunës së Kaçanikut. Si rezultat preliminar të kësaj vizite po i veçojmë përshtypjet dhe konstatimet tona për disa pika, të cilat mund të kenë ndikim të rëndësishëm në mbrojtjen dhe zhvillimin e kësaj zone.

  • Maja e Lubotenit (2498 m lmd) – Lidhur me zonën në fjalë ka propozime që kjo të futet në listën e zonave strikte. Një veprim të tillë konsiderohet se është në kundërshtim me interesin e zhvillimit të zonës, e cila në aspektin e vlerave natyrore nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë. Prandaj, duke parë se aktualisht zona në fjalë është njëra ndër pikat e rëndësishme dhe më të vizituarat turistike (ky konstatim u vërejt edhe gjatë vizitës), mund të konstatohet se si e tillë do të trajtohet edhe në Planin e ri të PK “Sharri”;
  • Zona e tretë “Nën Ahishte” – Zona e vetme e kategorizuar si zonë e zhvillimit në territorin e Komunës së Kaçanikut. Duke i parë zhvillimet aktuale në zonë, mund të konstatojmë se përpos terreni dhe konfiguracionit shumë të përshtatshëm për zhvillim të turizmit rural, zona në fjalë nuk është zhvilluar. Ka disa stane të ndërtuara pa ndonjë rregull paraprak, me materiale të pa përshtatshëm për një pjesë të tyre. Gjatë vizitës, e hasëm vetëm një bari me një kope prej rreth 200 dhenve, që për zonën në fjalë është gati zhvillim i pa përfillur. Aktualisht, nuk ka kërkesa për shtimin e numrit të dhenve, që është njëra nga objektivat e Planit ekzistues por e cila mund të jetë edhe njëra ndër objektivat kryesore të Planit të ri;
  • Rruga që e lidhe zonën e “Nën Ahishtës” dhe Majën e Lubotenit – I gjithë grupi konstatuam se pengesa kryesore e zhvillimit të kësaj ane është pikërisht rruga që e lidhë zonën në fjalë me rrugën rajonale që të qon në drejtim të pikës kufitare me Maqedoninë e Veriut (Glloboqica). Një veprim emergjent lidhur me rrugën në fjalë duhet të jetë largimi i ujërave nga rruga, përmes profilizimit/rrafshimit dhe hapjes së kanaleve anësore dhe tërthore të rrugës, i cili në masë të madhe do të ndikojë në rritjen e numrit të vizitorëve;
  • Trajtimi aktual i pyjeve të kësaj zone – Gjatë gjithë kohës sa kemi lëvizur nëpër zonë janë vërejtur mjete motorike të ngarkuara me dru të prera, sipas përshtypjes tonë pa ndonjë rregull të përcaktuar paraprakisht. Sipas informative, për shkak të mungesës së stafit adekuat, aktualisht zona në fjalë nuk është e mbuluar me roje përkatëse.
Lexo më shumë