Ministri Liburn Aliu se bashku me Kryeministrin e Republikës Albin Kurti, vizituam Agjencinë Kadastrale të Kosovës, me ç’rast bashkëbiseduam për projektet, punët, aktivitetet dhe planifikimet që kemi bërë për këtë vit dhe vitet në vijim.
Përgjatë Qeverisjes tonë, Agjencia Kadastrale e Kosovës ka bërë ndryshime rrënjësore, ku në kuadër të reformave drejt digjitalizimit për rritjen e cilësisë, efikasitetit dhe transparencës si dhe zhvillimeve të përgjithshme dhe avancimeve të reja, kemi ofruar shërbime cilësore për të gjithë qytetarët.
Në 20 vite para Qeverisjes Kurti, përafërsisht 20 milionë euro janë investuar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, e gjatë qeverisjes sonë tashmë 2 vjeçare, janë duke u investuar rreth 16 milionë euro. Pra, sa është investuar për 20 vite nga qeveritë e mëparshme, aq janë duke u investuar vetëm në 2 vite të qeverisjes sonë.
Përmes krijimit të një infrastrukture të duhur ligjore, me aprovim të Ligjit për Infrastrukturën Kombëtare të Informacionit Hapësinor dhe Ligjit për Kadastër që do të miratohet së shpejti, përkushtimi dhe investimi ynë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës ka mundësuar që qytetarët të kenë shërbime të shpejta e cilësore.
Përveç realizimit të projekteve madhore, vlen të theksohet se gjatë këtij mandati qeverisës kemi arritur të digjitalizojmë listë e shërbimeve pronësore që tani mund të merren “online” përmes platformës eKosova, ku përpos Certifikatës mbi të drejtat pronësore në pronën e paluajtshme, tani i janë shtuar edhe nxjerrja e produkteve si në vijim:
certifikata mbi të drejtat në pronën e paluajtshme për anëtarë të familjes,
koordinatat e njësisë kadastrale,
koordinatat e njësisë kadastrale për anëtar të familjes,
kopja e planit dhe kopja e planit për anëtarë të familjes.
Gjurmimi i lëndës së dorëzuar në kadastër, nëpërmjet formës elektronike në web faqen e Agjencisë Kadastrale të Kosovës. Ky sistem është i qasshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës me një klik nga shtëpitë e tyre. Para zhvillimit të kësaj mundësie, mënyra e vetme për informim për kërkesat e tyre, ishte nëpërmjet vizitës së drejtpërdrejtë në zyrën kadastrale komunale.
Agjencia Kadastrale e Kosovës, përbrenda Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është kyçe edhe në përfundimin me sukses të një procesi kritik për projekte infrastrukturore. Bëhet fjalë për shpronësime, për të cilat kur është marrë mandati i Qeverisë së re, borxhi shpronësimeve ka qenë në vlerë prej 183 milionë euro. Tani më, vetëm për dy vite, kemi arritur të përfundojmë pagesat për 75 milionë euro, dhe 25 milionë euro tjera janë buxhetuar për këtë vit, që i bie që për tre vite nga i gjithë borxhi i trashëguar prej 183 milionë euro, do ti shlyejmë rreth 55% të borxhit, për tre vite të qeverisjes sonë.