Lajmet

19 dhjetor 2025

Fillon procesi i hartimit të Strategjisë Kombëtare për Renovimin e Ndërtesave në Kosovë

Prishtinë, 19 dhjetor 2025 – Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përkatësisht Departamenti për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, ka mbajtur takimin e parë të Grupit Punues për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Renovimin e Ndërtesave në Kosovë. Ky proces zhvillohet në bashkëimplementim me LuxDev, Agjencinë e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor, në kuadër të projektit “Energy Transition and Climate Mitigation”, i cili financohet nga Qeveria e Luksemburgut.

Ky takim shënon fillimin zyrtar të një procesi gjithëpërfshirës për hartimin e këtij dokumenti strategjik me rëndësi të veçantë për përmirësimin e performancës energjetike të fondit të ndërtesave në Kosovë. Strategjia po hartohet në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-242 për Performancën Energjetike të Ndërtesave, si dhe me objektivat kombëtare dhe evropiane për tranzicion energjetik dhe zbutje të ndryshimeve klimatike.

Takimi u hap me fjalën hyrëse nga Drejtori i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, z. Servet Spahiu, si dhe nga znj. Lindita Daija, eksperte për zhvillimin e kapaciteteve në kuadër të projektit “Energy Transition and Climate Mitigation”.

Prezantimet u mbajtën nga z. Arben Ajazi, Ushtrues Detyre Shef i Divizionit të Performancës Energjetike në Ndërtesa (DPEN), dhe z. Vigan Perani, ekspert për efiçiencë të energjisë nga LuxDev, të cilët prezantuan kornizën ligjore për performancën energjetike të ndërtesave, fushëveprimin dhe objektivat e Strategjisë Kombëtare për Renovimin e Ndërtesave, si dhe procesin metodologjik për hartimin e saj. Po ashtu, u elaborua roli i Grupit Punues dhe rëndësia e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve dhe palëve të interesit gjatë gjithë procesit.

Takimi u përmbyll me diskutime konstruktive nga anëtarët e Grupit Punues, të cilët shprehën gatishmërinë për të kontribuar aktivisht në hartimin e Strategjisë Kombëtare për Renovimin e Ndërtesave në Kosovë.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në bashkëpunim të ngushtë me LuxDev si bashkëimplementues dhe me partnerët relevantë, do të vazhdojë angazhimin për të siguruar që Strategjia të jetë gjithëpërfshirëse, e zbatueshme dhe e harmonizuar me prioritetet kombëtare dhe evropiane në fushën e performancës energjetike të ndërtesave.

 

Lexo dhe:

U.D. Ministri Durmishi takon Ambasadorin francez Guérot për thellimin e bashkëpunimit ekonomik

Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Hysen Durmishi, zhvilloi një takim njoftues dhe koordinues me Ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, Sh.T. Olivier Guérot.

Gjatë takimit, U.D. Ministri Durmishi e falënderoi ambasadorin Guérot dhe shtetin francez për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës, si në zhvillimin ekonomik, ashtu edhe në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve.

Palët u pajtuan të intensifikojnë bashkëpunimin në organizimin e konferencës që do të mbahet në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, e cila synon të afrojë kompanitë franceze me bizneset kosovare dhe të krijojë mundësi të reja për investime franceze në Kosovë.

Konferenca pritet të shërbejë si një platformë e rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe promovimin e potencialit të Kosovës si destinacion i sigurt dhe i favorshëm për investime.

Lexo më shumë