Sot, vizituam Agjencinë Kadastrale të Kosovës, me ç’rast bashkëbiseduam për të arriturat, projektet, punët, aktivitetet dhe planifikimet e mëtutjeshme në vijim.
Përgjatë Qeverisjes tonë, Agjencia Kadastrale e Kosovës ka bërë ndryshime rrënjësore, ku në kuadër të reformave drejt digjitalizimit për rritjen e cilësisë, efikasitetit dhe transparencës si dhe zhvillimeve të përgjithshme dhe avancimeve të reja, kemi ofruar shërbime cilësore për të gjithë qytetarët.
Përmes krijimit të një infrastrukture të duhur ligjore, është aprovuar për herë të parë në Republikën e Kosovës, Ligji për Infrastrukturë Kombëtare të Informacionit Hapësinor (IKIH) i cili është në fuqi nga muaji Korrik, 2022. Po ashtu, Ligji për Kadastër që do të miratohet së shpejti, do të ndikojë që problemet pronësore që i kanë përcjellur qytetarët përgjatë këtyre 20 viteve të zgjidhen.
Përveç realizimit të projekteve madhore, vlen të theksohet se gjatë këtij mandati qeverisës kemi arritur të digjitalizojmë listën e shërbimeve pronësore që tani mund të merren “online” përmes platformës eKosova, ku përpos Certifikatës mbi të drejtat pronësore në pronën e paluajtshme, tani i janë shtuar edhe nxjerrja e produkteve te tjera.
Gjithashtu së fundmi janë lansuar edhe shërbime si:
🔹 Aplikacioni për gjurmimin e lëndëve 24/7, nga qytetarët që kërkojnë shërbime kadastrale, ku secila palë në çdo kohë mund të informohet mbi statusin e lëndës dhe nevojën eventuale për plotësim me dokumente shtesë në lidhje me kërkesat eventuale,
🔹Zhvillimi dhe avancimi “trajtimi i kërkesave sipas radhës”, pra, kush aplikon i pari do të shërbehet i pari, duke pamundësuar kështu favorizime në kërkesa, dhe
🔹Krijimi i mundësisë që në Sistemin e Informacionit Kadastral të vendoset shënimi për noter dhe përmbarues për akte noteriale, përkatësisht urdhëra përmbarimorë, përmes të së cilës rritet siguria për qytetarët në transaksionet e tyre.
Përkushtimi dhe investimi ynë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës ka mundësuar që qytetarët të kenë shërbime të shpejta e cilësore. Parimet dhe objektivat e një agjencie shtetërore gjithmonë duhet të kenë në cak shërbime transparente, cilësore dhe të shpejta ndaj qytetarëve. Përkrahja e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për këtë institucion nuk do të mungojë.