U bë lansimi i Udhërrëfyesit për Ekonomi Qarkore
Ministri Liburn Aliu tha se sot po e bëjmë lansimin e Udhërrëfyesit për Ekonomi Qarkore, që njëherit përfaqëson kurorëzimin e një pune një-vjeçare të mbështetjes së UNDP-së në Kosovë dhe shërben si pikënisje për institucionet publike që të vazhdohet më tej me reforma më të thella e të domosdoshme për sektorë të ndryshëm.
Ekonomia Qarkore ka karakter ndër-sektorial, duke përfshirë kështu sektorë të ndryshëm si menaxhimin e mbeturinave, ujërat, bujqësinë, energjinë si dhe industrinë. Për MMPHI-në, si institucion përgjegjës për draftimin e implementimin e politikave për ruajtjen e mjedisit, tranzicioni në ekonomi qarkore përfaqëson mënyrën e vetme për të shkuar para me zhvillimin e vendit.
Ekonomia Qarkore stimulon inovacionin, rritë konkurrueshmërinë e sektorit privat, gjeneron vende të reja të punës, dhe siguron rritje ekonomike. Në të njëjtën kohë, ky model siguron që zhvillimi ekonomik të bëhet në harmoni me ekosistemet dhe kufizimet planetare duke siguruar kështu mirëqenie për gjeneratat tani si dhe prosperitet për gjeneratat në ardhje.
Udhërrëfyesi për Ekonomi Qarkore i publikuar sot, identifikon gjashtë fusha prioritare për tranzicion drejt ekonomisë qarkore në Kosovë dhe dëshmon që Kosova ka potencial për të shkuar para në këtë drejtim. Këto gjashtë fusha janë të ndërlidhura me lëvizjen drejt praktikave për menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore, me shfrytëzimin e kreativitetit të popullsisë relativisht të re të Kosovës, dhe me rritjen e Efiçiencës në industri.
Tranzicioni në ekonomi të qëndrueshme e qarkore nuk mund të bëhet vetëm nga institucionet publike. Në fakt ky tranzicion varet shumë nga modelet e biznesit që përqafohen nga sektori privat, nga vetëdijesimi i qytetarëve për të përqafuar modele të qëndrueshme të konsumit, nga përpjekjet e shoqërisë civile për të rritur vetëdijesimin si dhe për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet qendrore dhe lokale.
Përmes hartimit të këtij dokumenti, MMPHI ka filluar procesin dhe qëndron e përkushtuar për të shtyrë këtë tranzicioni përpara duke ndërtuar një kornizë të duhur të politikave, duke ofruar stimujt e nevojshëm e duke nxitur bashkëpunimin e domosdoshëm me të gjitha palët e përfshira.