Kemi miratuar Kontributin e Përcaktuar Kombëtar (NDC), të parin në historinë e Kosovës
Kemi miratuar Kontributin e Përcaktuar Kombëtar (NDC), të parin në historinë e Kosovës. Me këtë dokument përmbyllim një fushatë katërvjeçare të diplomacisë klimatike dhe i dërgojmë një mesazh të qartë komunitetit ndërkombëtar: nëse pritet që Kosova të arrijë objektivat e uljes së emetimeve, atëherë duhet të na njihet statusi dhe të na mundësohet qasja në konventat e Kombeve të Bashkuara dhe fondet multilaterale për klimën.
Ndryshimet klimatike nuk janë shkaktuar nga ne, por po na prekin më së shumti: përmbytje, thatësira dhe valë ekstreme të të nxehtit po rrezikojnë jetesën e qytetarëve tanë. NDC-ja dëshmon se kemi potencial për të ulur emetimet deri në 49%, por kjo është e mundur vetëm nëse kemi qasje në mbështetje financiare ndërkombëtare në formë grantesh. Përndryshe, mbetemi të kufizuar në masat tashmë të aprovuara në strategjitë tona sektoriale.
Ndërkohë, po ndërtojmë sigurinë tonë klimatike me më shumë se 100 projekte dhe iniciativa konkrete: diga për siguri të ujit të pijshëm dhe për ujitje, kapacitete të reja energjetike për furnizim të qëndrueshëm, mbështetje për fermerët, studime për kultura më rezistente ndaj thatësirës, sistem paralajmërimi me SMS për përmbytjet, dhe shumë të tjera që tashmë kanë përfunduar ose janë në fazën fillestare të zbatimit.
Ky nuk është vetëm një plan pune, është një kërkesë për drejtësi klimatike.