Çdo digë në Kosovë është e sigurt dhe monitorohet në kohë reale
Në të kaluarën, Kosova nuk kishte një sistem të avancuar për monitorimin e sigurisë dhe menaxhimin e ujërave. Matjet bëheshin manualisht, shpesh me vonesa që rrezikonin reagimin ndaj emergjencave, dhe nuk mbulonin të gjithë territorin.
Sot, vetëm brenda dy viteve, kemi transformuar rrënjësisht këtë sektor. Çdo pellg lumor në Kosovë ka stacione të monitorimit me sensorë për nivelin e ujit dhe shumë parametra tjerë, duke siguruar të dhëna në kohë reale. Nga 12 stacione meteorologjike automatike, kemi arritur në 23. Nga vetëm 3 stacione për monitorimin e reshjeve, sot kemi 36, ndërsa stacionet hidrometrike janë rritur nga 16 në 34. Për herë të parë, kemi përfshirë edhe monitorimin e ujërave nëntokësore me 40 puse funksionale në të gjithë territorin.
Për më tepër, kemi realizuar një analizë të detajuar të rrezikut nga përmbytjet përmes teknologjisë së avancuar LiDAR. Kjo na ka dhënë harta precize të përmbytjeve për periudha 20, 100 dhe 1000-vjeçare, duke përfshirë edhe skenarët e ndryshimeve klimatike. Tani e dijmë me saktësi rrezikun për popullatën, infrastrukturën dhe ekonominë.
Të gjitha këto të dhëna do integrohen në një sistem të paralajmërimit të hershëm për përmbytjet dhe thatësirat. Ky sistem do t’i njoftojë qytetarët me SMS për rreziqet emergjente, duke ndihmuar në parandalimin e aksidenteve rrugore, mbrojtjen e komuniteteve tona dhe sektorin e bujqësisë.
Çdo digë në Kosovë është e sigurt dhe monitorohet në kohë reale, një arritje që nuk ka ekzistuar më parë. Ky standard i ri për sigurinë dhe mbrojtjen klimatike tregon se kur ka vullnet dhe vizion, mund të arrijmë rezultate të jashtëzakonshme.