Lançimi rajonal i raportit Mjedisi i Evropës 2025 - Dy dekada partneritet i EEA me Kosovën dhe vendet fqinje
Raporti më gjithëpërfshirës mbi mjedisin, klimën dhe qëndrueshmërinë në Evropë “Mjedisi i Evropës 2025” u lançua zyrtarisht sot në Podgoricë për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ngjarja shënoj më shumë se dy dekada bashkëpunimi mes Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.
Kontributi i Kosovës në njohuritë mjedisore evropiane
Për më shumë se 15 vjet, Kosova ka qenë vend bashkëpunues aktiv i EEA-së përmes Rrjetit Evropian të Informacionit dhe Vëzhgimit të Mjedisit (Eionet). Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës luan rol qendror në këtë partneritet, duke kontribuar me të dhëna, analiza dhe ekspertizë mjedisore që ndihmojnë në ndërtimin e kuptimit të përbashkët të trendeve dhe sfidave mjedisore në Evropë.
“Ballkani Perëndimor është partner i kamotshëm dhe i çmuar i EEA-së,” tha Leena Ylä-Mononen, Drejtoreshë Ekzekutive e Agjencisë Evropiane të Mjedisit. “Përmes Eionet, partnerët tanë në rajon, përfshirë Kosovën, kanë punuar për më shumë se dy dekada për të siguruar që të dhënat mjedisore në gjithë Evropën të jenë të sakta, të besueshme dhe të gatshme për të mbështetur vendimmarrjen. Sot është dita për ta vlerësuar këtë punë dhe për të rritur dukshmërinë e kontributit të tyre, si në nivel kombëtar ashtu edhe evropian.”
Mesazhet kryesore të raportit
Raporti Mjedisi i Evropës 2025 thekson, përmes profileve kombëtare të bashkë-krijuara nga EEA dhe institucionet kombëtare, progresin e vendeve bashkëpunuese në fushat e mjedisit, klimës dhe qëndrueshmërisë, si dhe sfidat që mbeten. Kosova, për shembull, ka bërë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e efiçiencës së energjisë dhe hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse të energjisë 2022–2031-themele të rëndësishme për dekarbonizimin e ekonomisë, ndërsa vazhdon të përballet me sfidën e rritjes së konsumit final të energjisë dhe nevojën për modernizimin e infrastrukturës së ndërtesave dhe industrisë.
“Ballkani Perëndimor është pjesë e historisë mjedisore të Evropës, dhe roli i tij në këtë histori po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm,” shtoi Ylä-Mononen.
Partneritet në gjithë rajonin
Bashkëpunimi mes EEA-së dhe Ballkanit Perëndimor filloi që në vitin 2000 dhe është përqendruar në forcimin e monitorimit dhe raportimit mjedisor, harmonizimin me standardet evropiane të të dhënave, si dhe mbështetjen e ngritjes së kapaciteteve dhe shkëmbimit të njohurive.
Lançimi në Podgoricë sjell së bashku përfaqësues të lartë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si dhe zyrtarë të nivelit të lartë nga Bashkimi Evropian dhe partnerë ndërkombëtarë.
Lançimi rajonal u organizua nga EEA dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit e Malit të Zi, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Rajonit Verior.
Folësit kryesorë në këtë ngjarje ishin, përfaqësues nga Ministria e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Rajonit Verior, Mali i Zi, përfaqësues nga Agjencia Evropiane e Mjedisit si dhe përfaqësues nga Agjencitë për Mbrojtjen e Mjedisit nga vendet e rajonit.
Nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, në panelet e diskutimit dhe në prezantimin e gjetjeve kryesore të raportit përfaqësuan U.D. Drejtori Ekzkutiv i AMMK, Afrim Berisha, dhe Iliriana Orana, si pjesë e ekipit të Pikës Kombëtare Fokale për bashkëpunim me EEA.
Pika Kombëtare Fokale e Kosovës
Në Kosovë, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit shërben si Pika Kombëtare Fokale e EEA-së, duke koordinuar informacionin mjedisor dhe bashkëpunimin në kuadër të Eionet. Agjencia mbështet institucionet vendore në harmonizimin e monitorimit dhe raportimit me praktikat evropiane dhe kontribuon në mënyrë aktive në sistemet e të dhënave dhe indikatorëve të EEA-së.