Lajmet

09 janar 2024

Ajër i pastër = SHËNDET

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) në bashkëpunim me Agjencinë Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit (SEPA) dhe Ambasadën Suedeze në Kosovë, kanë nisur fushatën "Ajër i pastër = SHËNDET". Kjo nismë është një përpjkeje për senzibilizim dhe vetëdijësm për çështjes që ndërlidhen me cilësinë e ajrit në Kosovë, dhe ruajtjen e shëndetit nga ajri i ndotur.

Me mbështetjen e SEPA dhe Ambasadës Suedeze, AMMK ka shtuar përpjkejet dhe angazhimet për rritjen e ndërgjegjësimit për ndikimin e ndotjes së ajrit në mjedis dhe shëndet. Fushata jonë ka synim vëtëdijësimin dhe edukimin e publikut të gjërë për burimet e ndotjes së ajrit dhe ndikimet dhe pasojat nga ajri i ndotur.

 “Fushata Ajër i pastër = SHËNDET është një nga anazhimet dhe përkushtimet tona për informimin e drejtë të publikut për cilësinë e ajrit dhe pasojat nga ndotja e tij. Përmes kësaj nisme, ne synojmë të nxisim të gjithë akterët që të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit përmes veprimeve dhe aktiviteteve konkrete për një Kosovë më të shëndetshme”, është shprehur Afrim Berisha, Zëvëndësues i Drejtorit Ekzekutiv të AMMK.

Zyrtar nga Ambasada Suedeze: “Ne jemi krenarë që mbështesim AMMK-në në këtë fushatë vendimtare. Përpjekjet bashkëpunuese si këto janë thelbësore për promovimin e ndërgjegjësimit mjedisor dhe nxitjen e ndryshimeve pozitive. Së bashku, ne po përpiqemi drejt një të ardhmeje ku ajri i pastër është realitet për të gjithë në Kosovë.”

Fushata "Ajër i pastër = SHËNDET" do të shfrytëzojë platforma të ndryshme tw komunikimit për të arritur dhe edukuar publikun. Kjo nismë nuk ka të bëjë vetëm me përhapjen e njohurive – por ka të bëjë edhe me nxitjen e një përkushtimi të përbashkët për një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm në Kosovë.

Porositë përmes video klipeve dhe përditësimet e rregullta në mediat sociale do të shërbejnë si mjete kryesore në këtë nxitje ndërgjegjësimi. Fushata është një thirrje për veprim, duke nxitur çdo individ dhe biznes që të luajë rolin e tyre në reduktimin e emetimeve në ajër dhe të avokojë për zbatimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për të reduktuar ndotjen.

Bashkohuni me ne në këtë mision për të siguruar një të ardhme më të shëndetshme për të gjithë.

 

https://youtu.be/FQx4aM3Tjyk

Lexo dhe:

Reagim ndaj komunikatës për media të OJQ-ve në lidhje me lejen mjedisore të 'Kelkos'

Të dashur qytetarë, dua të theksoj se:

Gjatë ditës së sotme, u njoftova për një padi që është ushtruar ndaj Ministrisë që drejtoj, ndërlidhur me lejen mjedisore të një hidrocentrali që është ndërtuar në vitet e ’50-ta, në Lumbardh të Deçanit.

Kompania që e zotëron këtë Hidrocentral në vendin tonë, është kompania “Kelkos”, (KELAG) kompani kjo publike austriake.

Padia është dorëzuar nga dy organizata të shoqërisë civile, që veprojnë për cështje të mbrojtjes së mjedisit.

Po ashtu, në njoftimin e tyre publik janë paraqitur disa pretendime nga ana e tyre të cilat dua t’i sqaroj një nga një.

Së pari, pretendimet që unë si Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, lejoj dhënie të lejes fshehurazi janë të pavërteta dhe të paqëndrueshme. Qoftë procesi i lejeve, takimi me palët apo çfarëdo procesi tjetër është publik dhe i dokumentuar.

Për rastin konkret, ne në Ministri kemi pasur takime me kompaninë “Kelkos”. Takimi ka qenë takim zyrtar, me të pranishëm zyrtarë përkatës të Ministrisë, brenda normave protokollare duke pritur kompaninë “Kelkos” si palë që kërkonin vëmendje rreth dy hidrocentraleve që nuk janë pajisur me leje mjedisore, e për të cilat së fundi kompania në fjalë ka dërguar Kosovën në arbitrazh. Kjo është si rrjedhojë e një varg veprimesh nga Qeveritë e kaluara, temë të cilën po e trajtojnë organet e tjera dhe jemi duke e trajtuar edhe ne brenda Ministrisë.

Së dyti, pretendimi se kompania ‘Kelkos” vepron lirshëm dhe është “partnere” e imja janë po ashtu akuza të pavërteta, motivi i vetëm i të cilave është krijimi i përshtypjes së rrejshme për rrjedhën e këtij procesi. E vërteta është se veprimi ose jo i kësaj kompanie, pra “Kelkos”, i përket gjykatës për të cilën po ashtu si Lëvizje VETËVENDOSJE!, edhe si deputet asokohe së bashku me Qendrën tonë në Deçan kemi ushtruar Padi.

Së treti, dua të njoftojë të gjithë qytetarët se këtu nuk bëhet fjalë për leje për ndonjë Hidrocentral të ri, por një leje të lëshuar në vitin 2022 për Hidrocentralin “Lumbardhi 1”, i ndërtuar në vitet e paraluftës, kur as ne e as kompania Kelkos nuk kemi qenë prezent.

Nga Komisioni për Leje Mjedisore jam njoftuar që “Kelkos Energy” Sh.p.k. Deçan, është pajisur me Leje Mjedisore nga MMPHI për Hidrocentralin gjenerues “Lumëbardhi I” (ish Kozhnjeri), me datë 14.12.2022.

Rrjedhimisht, leja mjedisore është lëshuar, duke u bazuar në nenin 31 të Ligjit Nr.03/L-025 për Mbrojtjen e Mjedisit, Udhëzimin Administrativ MMPHI Nr.04/2022 për Leje Mjedisore.

Gjatë vizitës së Komisionit tek operatori, i cili ka infrastrukturën bazike të hidrocentralit të ndërtuar në vitet e 50-ta, pas privatizimit në vitet 2000 të cilin e kishte rindërtuar me turbina e gjenerator të ri të vënë në funksion në vitin 2005, është konstatuar se të gjitha kushtet sikurse tubacioni dhe pajisjet përcjellëse janë trajtuar e rehabilituar si dhe është vendosur shtegu i duhur për lëvizjen e peshqve përgjatë rrjedhës së lumit. Kushte e kritere këto që kontrollohet nëse një operator i ka plotësuar kushtet e përcaktuara mjedisore.

Duke u bazuar në legjislacionin përkatës, nuk parashihet mbajtja e dëgjimit publik, gjatë procedurës së shqyrtimit të aplikacionit për t’u pajisur me Leje Mjedisore, pasi që dëgjimi apo debati publik mbahet gjatë procedurës së shqyrtimit të raportit të Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor, hapit të mëparshëm kur operatori duhet të pajiset me Pëlqim Mjedisor.

Së katërti, si Ministër i kësaj Qeverie që përcaktimin e ka të qartë sa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe të cilin orientim e kemi dëshmuar tashmë me dhjetëra vendime gjithandej zonave të mbrotjura të Republikës së Kosovës, do të vazhdojë pa dyshim dhe pa pushim në realizimin e zotimeve që kemi marrë nga qytetarët e vendit.

Mjedisi, planifikimi hapësinor dhe infrastruktura me shumë sfida, por me hapa të sigurtë, po shkojnë drejt futjes nën kontrollin ligjor dhe mbrojtjes. Por, veçanërisht tashmë nuk ka grupe të interesit mbi shtetin. As nuk ka më hapësirë për përfitues që kinse në emër të mbrojtjes së mjedisit janë shndërruar në mbrojtës së interesave jo dhe aq publike.

Megjithatë, për rastin në fjalë i bashkohem pa hezitim secilës iniciativë për qartësimin e secilës situatë dhe secilës leje të lëshuar, qoftë edhe duke e denoncuar në organet e drejtësisë.

Jashtëligjshëm nuk duhet të pajiset me leje asnjë operator, pavarësisht fushëveprimit. Edhe pse ky akt administrativ, që është lëshuar pak më shumë se një vit, pas këtij njoftimi i kam marrë të gjitha masat për të verifikuar sipas legjislacionit në fuqi për rrjedhën e veprimeve të kryera në këtë drejtim.

 

Lexo më shumë

Jeton Raka emërohet zëvendësministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës


 Prishtinë, 9 janar 2024


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot z. Jeton Rakën, zëvendësministër të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

 

Kryeministri Kurti e uroi z. Raka për detyrën dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.

Lexo më shumë