Lajmet
MMPHI shënoi Ditën Botërore të Planifikimit të Qyteteve me moton “Me planifikim, drejt një banimi më cilësor”
MMPHI shënoi Ditën Botërore të Planifikimit të Qyteteve me moton “Me planifikim, drejt një banimi më cilësor”Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka shënuar Ditën Botërore të Planifikimit të Qyteteve, me moton “Me planifikim, drejt një banimi më cilësor.” Ngjarja theksoi rëndësinë e planifikimit hapësinor për zhvillim të qëndrueshëm, përmirësim të kushteve të banimit dhe krijimin e komuniteteve funksionale.
U vlerësua progresi i bërë në dekadën e fundit dhe nevoja për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve, komunave dhe profesionistëve me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës, zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve dhe përdorimin efikas të hapësirës. Në kuadër të programit për banim të përballueshëm, Ministria ka vendosur katër gurthemele në komunat : Podujevë, Pejë, Istog dhe Gjilan, me vlerë mbi 32 milionë euro.
z. Arbën Rrecaj – u.d. Drejtor i Institutit të Planifikimit Hapësinor/MMPHI potencoi që ky aktivitet synon të theksojë rolin thelbësor të planifikimit hapësinor në krijimin e qyteteve funksionale, të qëndrueshme dhe me banim më cilësor për të gjithë qytetarët.
Ngjarja përfshiu prezantime profesionale nga ekspertë të planifikimit hapësinor, banimit dhe efiçiencës së energjisë, duke riafirmuar përkushtimin për qytete më të qëndrueshme, më të gjelbra dhe më humane. Në kuadër të aktivitetit u mbajtën prezantime nga:
- Z. Rizah Murseli, Udhëheqës i Divizionit të GIS-it në Institutin e Planifikimit Hapësinor, me temën “Banimi në Planifikimin Hapësinor të Kosovës”;
- Z. Ramë Hamzaj, Udhëheqës i Divizionit për Banim, me temën “Banimi i Përballueshëm dhe Social si Indikator për zhvillim të qëndrueshëm për komunitete dhe qytetet reziliente”;
- Znj. Ardiana Bokshi, me prezantimin “Fondi Kosovar për Efiçiencë të Energjisë: Projektet, rezultatet dhe planet e ardhshme të FKEE.”
Ngjarja u përmbyll me vlerësimin e kontributit të të gjithë pjesëmarrësve dhe me theksimin se bashkëpunimi ndërinstitucional, shkëmbimi i përvojave profesionale dhe përkushtimi ndaj planifikimit të qëndrueshëm do të mbeten prioritete të vazhdueshme të Ministrisë në zhvillimin hapësinor të Kosovës.
Në kuadër të aktiviteteve të parapara për shënimin e Ditës Botërore të Planifikimit të Qyteteve, u bë vendosja e një Mobilie Urbane e Mençur (Urban Smart Furniture) - Model i vendeve të BE-së në parkun afër Objektit të ri Qeveritar ish Rilindja, Prishtinë.
Gjithashtu, në ditët në vijim, do të dhurohet nga një Mobilie Urbane e Mençur (Urban Smart Furniture) për universitetet publike të Kosovës, me synim nxitjen e përdorimit të teknologjisë inovative dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm.
