6381 - Single_page | MMPH

Lajmet

Nën organizimin e kompanisë implementuese, në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, u prezantua Raporti Fillestar i Paketës së VSMN-së dhe projektit paraprak të Hidrosistemit “Ibër-Lepenc” - Faza e Parë

Nën organizimin e kompanisë implementuese, në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, u prezantua Raporti Fillestar i Paketës së VSMN-së dhe projektit paraprak të Hidrosistemit “...
Prishtinë, 13 September -

Nën organizimin e kompanisë implementuese, në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, u prezantua Raporti Fillestar i Paketës së VSMN-së dhe projektit paraprak të Hidrosistemit “Ibër-Lepenc” - Faza e Parë.

 

Ekspertët e kompanisë COWI, elaboruan opsionet e ndërtimit të digës së Firajës dhe opsionet për fazën e dytë të digës së Shtimës.

 

Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim të mëtejshëm me të gjitha palët e involvuara në këtë projekt dhe vlerësoj me rëndësi jetike implementimin e tij. 

 

Në takim, përveç zyrtarëve të Ministrisë, ishin edhe përfaqësuesit e BERZH-it, Ibër Lepencit dhe ekspertë të tjerë nga fusha të ujërave, me ç’rast bashkarisht u dakorduan që të analizohet deri në detaje për tu zgjedhur opsioni më i arsyeshëm dhe të vazhdohet më tej me projektin. 

 

Informata më shumë rreth projektit: 

 

Përmes programit të WBF, studimi i fizibilitetit për Ndërtimin e Kanalit të Lepencit dhe Digave të Firajës dhe Shtimes ka përfunduar në vitin 2020. Në studim ishte e përfshirë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe përfituesja kryesore është Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së bashku me institucionet tjera relevante. Studimi rekomandoi ndarjen e projektit në 2 faza:

• Faza 1 do të konsistonte në ndërtimin e tubacioneve të ujit nga diga e Firajës deri te rezervuarët e shërbimit të tri Kompanive Rajonale të Ujit (KRU) përgjegjëse për furnizimin me ujë të pijshëm të popullatës që jeton në 9 komunat në pjesën lindore dhe jugore të Kosovës, konkretisht KRU Bifurkacioni, KRU Hidromorava dhe KRU Prishtina. Kjo do të plotësonte të gjitha nevojat për pije të mbi 400,000 njerëzve për një afat të gjatë, së bashku me kërkesat e konsumatorëve komercial dhe institucional. Popullsia në këto qytete aktualisht përjeton vazhdimisht mungesë të konsiderueshme uji dhe pothuajse 40% e popullsisë nuk ka qasje të sigurt në furnizimet publike me ujë për shkak të mungesës së disponueshmërisë së resurseve adekuate ujore në këto zona. Pasi të ndërtohet projekti i Fazës 1, do të ketë ujë të mjaftueshëm për të zgjidhur çështjet e mungesës së ujit sidomos në periudha të thatësisë.

• Faza 2 e projektit do të përfshijë ndërtimin e digës së Shtimes dhe kanaleve ujitëse për t’u siguruar me ujë të mjaftueshëm për ujitjen e rreth 20,000 hektarëve.

Dy fazat së bashku llogaritet të sigurojnë ujë për këtë regjion dhe do të rrisnin potencialin e zhvillimit ekonomik si dhe mirëqenien socio-ekonomike të asaj zone.

Qeveria dhe BERZH pranuan rekomandimet e Studimit të Fizibilitetit. BERZH është zotuar të sigurojë financimin e huasë për Fazën 1 të mbështetur nga fonde shtesë nga qeveria dhe donatorët e jashtëm, pra do të synohet një kombinim i granteve dhe kredive. Tani më veçse ka filluar përgatitja e fazës së parë të Projektit, tani e riemërtuar Hidro-Sistemi Ibër Lepenc Faza 1.

Kjo do të përbëhet nga disa komponentë.

Konsulentët që punojnë në këtë projekt kanë ndërmarrë detyrat e mëposhtme:

• Përgatitja e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social (VNMS)

• Përgatitja e Projektimit Paraprak për Digën e Firajës dhe tubacionet e furnizimit me ujë me shumicë në rezervuarët e shërbimit të tre KRU-ve.

 

Foto Galeria

Kthehu