6007 - Single_page | MMPH

Lajmet

Miratohet propozim vendimi për themelimin e Këshillit Kombëtar për Ndryshime Klimatike

Miratohet propozim vendimi për themelimin e Këshillit Kombëtar për Ndryshime Klimatike
Prishtinë, 12 January -

Sot në mbledhjen e Qeverisë, është miratuar propozim vendimi për themelimin e Këshillit Kombëtar për Ndryshime Klimatike, i cili do të jetë përgjegjës për përcjelljen e zbatimit të dokumenteve strategjike dhe planeve të veprimit për ndryshime klimatike, në përputhje me angazhimet në kuadër të Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshime Klimatike, Marrëveshjes së Parisit, si dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

 

Në kuadër të funksionit të tij, qëllimet kryesore të Këshillit Kombëtar për Ndryshime Klimatike janë:

 

-sigurimi i projekteve që mund të kenë ndikim në ndryshimet klimatike të cilat do të realizohen në përputhje me legjislacionin vendor dhe marrëveshjet ndërkombëtare; 

 

-përgatitja e dokumentacioneve të nevojshme për pjesëmarrjen dhe anëtarësimin e Republikës së Kosovës në konventa, protokolle dhe marrëveshje që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike; 

 

-monitorimi i gjendjes, zhvillimit dhe zbatimit të politikave kombëtare në fushën e ndryshimeve klimatike, politikave sektoriale dhe dokumenteve tjera të planifikimit;

 

-propozimin e masave për zbatimin, koordinimin dhe përmirësimin e politikave në fushën e ndryshimeve klimatike, në përputhje me rregulloret dhe standardet e Bashkësisë Evropiane (BE) dhe të Kombeve të Bashkuara (KB), si dhe propozimin për vendime të rëndësishme për zbatimin e projekteve përkatëse dhe aktiviteteve tjera në fushën e ndryshimeve klimatike.

 

Këshilli përbëhet nga:

 

• Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) - kryesues i Këshillit;

• Ministri i Ministrisë së Ekonomisë (ME) - anëtarë;

• Ministri i Ministrisë të Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) - anëtarë;

• Ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) - anëtarë;

• Ministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) - anëtarë;

• Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) - anëtarë;

• Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) - anëtarë.

 

Në kuadër të Këshillit, funksionon edhe Sekretariati Teknik i cili përbëhet nga përfaqësuesit e Departamenteve të Ministrive të Qeverisë, përfaqësues nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, përfaqësues nga Shoqëria Civile, përfaqësues nga Universiteti, dhe përfaqësues nga UNDP.

Foto Galeria

Kthehu