5976 - Single_page | MMPH

Lajmet

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, mbajti konferencë për media në lidhje me “Projektin Hekurudhor Prishtinë – Durrës”

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, mbajti konferencë për media në lidhje me “Projektin Hekurudhor Prishtinë – Durrës”
Prishtinë, 09 December -

Sot, në ndërtesën e Qeverisë, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, mbajti konferencë për media në lidhje me “Projektin Hekurudhor Prishtinë – Durrës”.

 

Para të pranishmëve në konferencë, Ministri Aliu prezantoi projektin e hekurudhës Prishtinë – Durrës, të gjeturat për transportin hekurudhor në regjion (projeksionet e vjetra dhe të reja), transportin hekurudhor në Kosovë dhe Shqipëri, portin e ri tregtar të Durrësit, në Porto Romano, lidhjen e portit të Durrësit dhe Tivarit me Prishtinën, si dhe përgjithësisht për korridoret PAN Evropiane (Korridori 8, Korridori 10, dhe Korridorin Blu).

 

Lidhur me rëndësinë që e ka projekti i hekurudhës Prishtinë - Durrës, Ministri Aliu shprehu:

 

“Kjo linjë hekurudhore do t’i bashkojë ekonomitë tona dhe do t’i fuqizojë mundësitë për zhvillim ekonomik, si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë. Marrë parasysh që Porti i Durrësit synon të bëhet një port gjigant e i rëndësishëm i transportit të mallrave, kjo linjë do t’i shërbejë që të lidhet me korridoret më të rëndësishme evropiane ku përmes Prishtinës, edhe Porti i Tivarit do të ketë qasje më të lehtë e më të shpejtë drejt tij, duke ndihmuar kështu në krijimin e lidhjeve më të sigurta dhe më të qëndrueshme të transportit për njerëzit dhe bizneset.”

 

Për më shumë Ministri Aliu tha:

 

“Janë ndarë mjete buxhetore për studimin e fizibilitetit nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërsië, dhe pas këtij studimi të fizibilitetit do të kemi një pasqyrë të qartë të hollësive teknike dhe financiare për realizimin e këtij projekti. Hekurudha Prishtinë-Durrës do t’i kontribuoj ekonomisë dhe shoqërisë të të dyja vendeve tona për arritjen e një lëvizshmërie të qëndrueshme dhe me efikasitet të lartë për një periudhë afatgjatë. Transporti dhe krijimi i lidhjeve më të sigurta dhe më të qëndrueshme janë vendimtare për rritjen tonë ekonomike në kuadër të proceseve të integrimit drejt një ekonomie zhvillimore, e që në këtë kontekst Kosova përfaqëson një zonë potenciale me interes të madh nga pikëpamja e sipërmarrjes dhe zhvillimit ekonomik.”

Foto Galeria

Kthehu