5737 - Single_page | MMPH

Lajmet

Nga 500 mijë në 5 milionë u shndërrua vlera e një kontrate me qeverinë e kaluar - Prokuroria Speciale t'i hetojë rastet e korrupsionit të lartë

Nga 500 mijë në 5 milionë u shndërrua vlera e një kontrate me qeverinë e kaluar - Prokuroria Speciale t'i hetojë rastet e korrupsionit të lartë
Prishtinë, 02 July -

Nga 500 mijë në 5 milionë u shndërrua vlera e një kontrate me qeverinë e kaluar. Prokuroria Speciale t'i hetojë rastet e korrupsionit të lartë.

Zëvendësministri i MMPHI-së, Hysen Durmishi, dorëzoi sot në Prokurorinë Speciale një dosje që lidhet me korrupsion të hapur në ministrinë e Infrastrukturës nga ish ministri Pal Lekaj.

Dosja ka të bëjë me kontratën “Mirëmbajtja e urave në rrugët nacionale dhe regjionale të Kosovës për vitet 2017-2019”. Kjo kontratë e nënshkruar në mars të vitit 2018, sa ishte ministër Pal Lekaj, kishte vlerë të përcaktuar 500 mijë euro, kurse në fund përfundoi me vlerën 5 milionë e 300 mijë euro. Pra, bëhet fjalë për një zhvatje të hapur dhe brutale të buxhetit.     

“Pas hapjes së ofertave, vlerësimit të tyre, derisa në të gjitha dokumentet zyrtare të publikuara vlera e parashikuar ishte 500 mijë euro, në kontratën e nënshkruar, te kushtet e përgjithshme të kontratës, ndërhyhet dhe ndryshohet në mënyrë të kundërligjshme neni 24, paragrafi 24.1 me ç’rast i gjithë buxheti i paraparë për ndërtimin dhe rikonstruimin e urave në tërë territorin e Kosovës në shumë prej 4 milionë e 352 mijë e 22 euro vendoset në këtë kontratë që është në kundërshtim me ligjin,” tha Hyseni.

Për ta shpjeguar më mirë për opinionin publik pse kjo kontratë ka lëvizur brutalisht nga 500 mijë në 5 milion e 300 mijë, zëvendësministri Hyseni morri si shembuj dy pozicione brenda kësaj kontrate.

“Pozicioni 5.1 në të cilën parashihej gërryerja dhe pastrimi i betonit të degraduar ishin të parapara 350 metra katror me çmim 5 euro për metër katror, në fund arrinë në 103811 metër katror apo në vlerë monetare 519058 euro

Pozicioni 5.4 në të cilën parashihej lyerja e shtyllave të urës që ishin të parapara 450 metra katror me çmim 10 euro për metër katror që në total do të kushtonte 4500 euro, në fund ka përfunduar me rritje të sasisë në 103812 metra katror apo në vlerë 1038124 euro.

Foto Galeria

Kthehu