135 - Ministria | MMPH

Hysen Durmishi

Zëvendësministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës
 

Hysen Durmishi u lind më 3 prill 1972 në Therandë.

Në vitin 1989 si nxënës i shkollës së mesme në Therandë u angazhua në organizimin e demonstratave kundër ndryshimeve kushtetuese të marsit të atij viti.
Në prill të 1989-së u përjashtua nga shkolla i cilësuar si njëri nga organizatorët kryesor të demonstratave dhe iu ndalua shkollimi në gjithë territorin e ish-Jugosllavisë.
Pas amnistisë për të burgosurit politikë me 1990, i hiqet kjo ndalesë dhe kthehet sërish në shkollë në shtator, 1990.
Gjatë vitit 1990 – 1992 ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Unionit të Pavarur të Nxënëseve të gjitha shkollave të mesme të Kosovës.

Gjatë viteve 1993-1998 ka mbaruar studimet universitare në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës.
Në vitet 1997-1998 bëhet kryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.
Ishte pjesë aktive e të gjitha organizimeve të protestave studentore.

Në vitin 1998 ka qenë ushtar i UÇK-së në brigadën 123. Nga 1998 – 2000 ishte i burgosur politik në burgjet e Serbisë.
Pas daljes nga burgjet e Serbisë bëhet pjesë e Rrjetit të Aksionit për Kosovën (KAN).

Durmishi është njëri nga themeluesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Përgjatë viteve ka mbajtur pozita të ndryshme drejtuese duke qenë edhe anëtar i kryesisë deri në fund të vitit 2013.
Në 2013 emërohet drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës.
Pas disa ndryshimeve që janë bërë në organizimin e drejtorive, emërohet drejtor i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në Komunën e Prishtinës.

Ai ka eksperiencë të gjatë në fushën e infrastrukturës.
Ka udhëhequr shumë projekte me kompani ndërkombëtare e vendore.

Është i martuar dhe ka katër fëmijë.

Linda Çavdarbasha

Zëvendësministre e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës
 

Znj. Linda Çavdarbasha është emëruar Zëvendësministre e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës më 6 Prill 2021. 

Ajo është ekologe dhe aktiviste e përkushtuar me përvojë solide në zbatimin e projekteve që mbështesin jetesën e qëndrueshme dhe zhvillimin e gjelbër në Kosovë. Bazuar në interesat e saj kërkimore dhe të avokimit, ajo ka mbajtur detyra që mbështesin dhe promovojnë ruajtjen e jetesës së qëndrueshme, mbrojtjen e biodiversitetit, zhvillimin e ekonomisë së gjelbër qarkore dhe edukimin e gjeneratave të reja mbi çështjet mjedisore.

Ajo ka përvojë në menaxhim të projekteve të BE-së dhe donatorëve tjerë të huaj si rezultat i angazhimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe kombëtare si: Associazione Trentino con i Balcani, Local Democracy Agency of Kosovo dhe Let’s Do It Peja.

Që nga Nëntori i vitit 2019-Prill 2021, ajo ka qenë delegate në Agjencionin për Demokraci Lokale në Kosovë i cili është pjesë e ALDA-Europe dhe Rrjetit Ballkanik për Demokraci Lokale (rrjet rajonal që përfshinë shtetet e Ballkanit Perëndimor).

Znj. Çavdarbasha është e diplomuar në Fakultetin e Biologjisë- dega Ekologji- Mbrojtje e Mjedisit, pranë Universitetit të Prishtinës. Ka vazhduar studimet Master në po të njëjtën degë dhe ka përfunduar një semestër në Departamentin e Biologjisë, Universiteti i Konstanz në Gjermani.

Znj. Çavdarbasha i përket subjektit politik Alternativa. 

Ajo lindi në Pejë më 1994, dhe banon në Prishtinë. Ajo disponon njohje të shkëlqyer të gjuhës angleze dhe gjermane bazike.