
Me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit lidhur me biodiversitetin, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, shënoi Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit edhe në lokacionin Limth, në hapësirat e Parkut Kombëtar “Sharri”, me moton “Biodiveriteti ynë, ushqimi ynë, shëndetit ynë.
Në këtë event u bë e ditur se ky rajon njihet për biodiversitet shumë të pasur, i cili për kah rëndësia është ekzistencial.
Zëvendësministri i MMPH-së Gjergj Beka, në emër të Ministrit Matoshi, ka folur për arritjet e kësaj ministrie për gjatë viteve 2018-2019. Ai bëri të ditur se tashmë janë në fazën finale të shpalljes së zonës së Pashtrikut si zonë e mbrojtur ndërkufitare nga Qeveria.
“Ne si ministri në bashkëpunim me programin mjedisor për Kosovë kemi hartuar librin e kuq, të faunës së Kosovës. Gjithashtu në bashkëpunim me komunën e Mitrovicës kemi zbatuar projektin për parkun botanik, pastaj në komunën e Kamenicës dhe Suharekës. Gjithashtu jemi në fazën finale të shpalljes së zonës së Pashtrikut si zonë e mbrojtur ndërkufitare nga Qeveria e Republikës të Kosovës në kategori të parkut natyror”, tha Beka.
Nderkaq kryetari i komunës së Dragashit Shaban Shabani, tha se është obligim i institucioneve komunale që ta ruajnë biodiversitetin që e karakterizon këtë komunë.
“Obligimi i joni konkretisht i institucioneve të komunës së Dragashit është që ta ruajmë këtë biodiversitet, Ne kemi pasë disa projekte të veçanta që lidhen edhe me planin zhvillimor komunal që drejtpërdrejt e bën edhe konservimin e biodiversitetit, ka pasë edhe aktivitete të ndryshme dhe projekte që shkojnë në favorin e biodiversitetit, ruajtjen e florës dhe faunës”, tha Shabani.
Ndërsa përfaqësuesi i organizatës joqeveritare “Finch’ Nexhmedin Ramadani, ka folur për cilësitë turistike të Limthit, ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që ta shfrytëzojnë më shumë këtë vend për implementim të projekteve të ndryshme.
22 Maji është shpallur nga Kombet e Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Diversitetit Biologjik, ose Dita Botërore e Biodiversitetit, me qëllim rritjen e ndërgjegjes dhe të kuptimit më të thellë të çështjeve lidhur me biodiversitetin.
Më 16 prill 2019 Kosova është anëtarësuar në Unioinin Ndërkombëtar për ruajtjen e natyrës.