6261 - Galeria_single | MMPH

Sot u organizua ceremonia e pranim dorëzimit të 37 kamionëve për grumbullim të mbeturinave, bashkëfinancuar nga Qeveria e Kosovës, Bashkimit Evropian dhe qeveria gjermane.

 

Nga ky bashkëpunim në sektorin e menaxhimit të mbeturinave përfituan 20 komuna dhe pesë kompani rajonale për menaxhim të mbeturinave që operojnë në Republikën e Kosovës, në vlerë 6.2 milion Euro.

 

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, së  bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Ambasadorin Gjerman në Kosovë Joern Rohde dhe përfaqësuesin e Zyrës së Bashkimit Evropian Luigi Brusa, vlerësuan performancën dhe përpjekjet reformuese të komunave fituese, në fushën e qeverisjes së mirë dhe menaxhimit të mbeturinave gjatë viteve 2017-2020.

 

Ministri Aliu para të pranishmëve shprehu:

“Synimi i Qeverisë është që të forcojmë kapacitetet e grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave me qëllim të përmirësimit të mjedisit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Ne synojmë që në vendin tonë të kemi sa më pak mbeturina të cilat mbesin pa u ripërdorur, e pa u ricikluar dhe rrjedhimisht të krijojmë mekanizma të mirëfilltë që një pjesë të këtyre mbetjeve t’i eliminojmë nga deponitë tona. Reduktimi i ndotjes së mjedisit nga mbeturinat dhe përmirësimi i mëtejmë i shërbimeve dhe infrastrukturës, siç janë deponitë në nivel kombëtar mbeten sfidë. Ne nuk do të ndalemi së punuari në këto çështje derisa mbeturinat tona të trajtohen sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe derisa të krijohen kushte të përshtatshme për kalimin nga shërbimet themelore në ekonominë qarkore.”

 

Ky aktivitet është organizauar në kuadër të Garës për Mjedis të Pastër dhe Grantit të Performancës Komunale - Mjedisi i Pasteër që bashkëfinancohet nga Qeveria e Kosovës, Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndërsa zbatohet nga GIZ Kosova. Shuma e përgjithshme e granteve në dispozicion të komunave në këtë skemë arrin në 10.4 milionë Euro, e cila do të shfrytëzohet për pajisje për menaxhimin e mbeturinave me qëllim të përmirësimit të cilësisë së këtij shërbimi dhe për mbeshtjetjen e komunave të Kosovës në përpjekjet e tyre për tu orientuar kah menaxhimi i integruar i mbeturinave.