6045 - Galeria_single | MMPH

Për herë të parë në Republikën e Kosovës, po realizohet një projekt që ka për qëllim studimin e sigurisë së digave ekzistuese në Kosovë. 

 

Organizuar nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore në bashkëpunim me kompaninë implementuese, sot në ambientet e MMPHI-së, u mbajt punëtoria me pjesëmarrës dhe ekspert të fushës së digave dhe njohës të fushës së ujërave, në të cilin takim u diskutuan në hollësi rezultatet, gjetjet dhe rekomandimet e prezantuara nga kompania implementuese e projektit.

 

Zv. Ministrja znj. Linda Çavdarbasha, shprehu para të pranishmëve bindjen se është e domosdoshme që të punohet në ruajtjen e resurseve ujore dhe sigurimin e një infrastrukture më të mirë, që do të kontribuojë në zhvillimin e vendit, e veçanërisht për sigurinë ujore në përgjithësi.

 

"Përderisa siguria e jetës dhe pronës së njerëzve në afërsi të digave është e një rëndësie të madhe, siguria e digave është gjithashtu e rëndësishme për sigurinë ujore të vendit në përgjithësi. Nuk mund të nisim projekte të tilla madhore, pa u siguruar që të kemi një sistem të monitorimit dhe mbikëqyrjes së sigurisë së digave ekzistuese. Kjo tanimë është edhe arsyeja pse Qeveria ka sinjalizuar një qasje më gjithëpërfshirëse. Ekziston një sfidë kolektive për të komunikuar hapur mes nesh, e tani ka ardhur koha që të veprojm bashkarisht, për shkak se është përgjegjësi e përbashkët që të garantojmë sigurinë e digave. Prandaj, Ministria sot, po vepron konkretisht dhe aktivisht për të ngritur çështjen e sigurisë së digave në Republikën e Kosovës.", shprehu zv. Ministrja znj. Linda Çavdarbasha.

 

Projekti "Studimi, Riparimi dhe Pajisjet Monitoruese të Digave Ekzistuese të Kosovës", është financuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe është zbatuar nga kompania implementuese:v"Lorenco & CO SH.P.K.", dhe “Altea & Geostudio 2000.”

 

Qëllimi i projektit është që të shqyrtohet siguria dhe të bëhet vlerësimi i digave ekzistuese në Kosovë, përkitazi sa janë në gjendje që të përballojnë të gjitha forcat që mund të pritet të veprojnë  gjatë periudhës së shfrytëzimit të tyre dhe të konfirmohet nëse digat janë të sigurta. Për më shumë, projekti ka për synim dhënien e rekomandimeve për operimin dhe mirëmbajtjen e sigurt të digave në Republikën e Kosovës.