5993 - Galeria_single | MMPH

Sot, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu, së bashku me komandantin e KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major, z. Ferenc Kajári dhe Drejtorin e Operimeve të Limak-ut, z. Gökmen Aritay, mbajti konferencë për media në lidhje me finalizimin e projektit të zgjatjes së pistës.  

 

Para të pranishmëve në konferencë, Ministri Aliu bashkë me z. Aritay, prezantuan të gjitha të arriturat e projektit të zgjatjes së pistës:

 

-Pista është zgjatur nga 2500m në 3040metra;

-Sistemi i aterimit përmes navigimit me instrumente (ILS) është përmirësuar në

kategorinë CAT IIIB;

-2 sisteme ILS krejtësisht të reja;

-Sistemet e meteorologjisë dhe AWOS (Sistemi i automatizuar për vëzhgimin e

motit) janë zëvendësuar me sisteme të reja;

-Antenat e reja WHF janë instaluar për të lehtësuar menaxhimin e hapësirës ajrore;

-Janë bërë hartat e reja për hapësirën ajrore;

-Është instaluar sistemi i teknologjisë më të lartë për parashikimin e motit;

-Pajisjet janë të teknologjisë së fundit të blera në shtete si Kanada, Gjermania,

Holanda, Finlanda dhe Norvegjia.

 

“Me finalizimin e projektit të zgjatjes së pistës, sistemi instrumental i aterimit avancohet nga kategoria 2 në 3B, e që është një avancim jashtëzakonisht cilësor, që e bën Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës më konkurrent në rajon. Po ashtu, pajisjet të cilat do të funksionalizohen me këtë projekt e që kanë të bëjnë me navigimin, e me meteorologjinë do të luajnë rol shumë të rëndësishëm për aterimin në kushte të vështira atmosferike dhe me këtë rast do të eliminohet shkaktari kryesor i anulimit të fluturimeve dhe rënies së numrit të udhëtarëve që e shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Kostot më të ulta për kompanitë ajrore përfundimisht barten tek udhëtarët përmes biletave më të lira. Udhëtari mund të ketë mundësi më të mëdha për destinacione plotësuese që mund të hapen nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës si rezultat i kostove më të ulta të krijuara përmes këtij projekti.” shprehu Ministri Aliu.

 

Për më shumë, Ministri Aliu theksoi se jemi duke punuar në strategjinë e sistemit multimodal të transportit, sistem modern, i cili parashihet të jetë i qëndrueshëm, i sigurt e fleksibil, me të cilin do të mundësohet ndërlidhja efikase e tri modaliteteve të transportit, që krahas zhvillimit dhe modernizimit të infrastrukturës hekurudhore dhe rrugore, do të përcillet edhe nga terminarli ajror i mallrave dhe porti i thatë në regjionin e Prishtinës, që do të mundësoj qarkullimin e mallrave në ndërlidhje me portin e Durrësit si port detar, si dhe atë tokësor e ajror, e po ashtu edhe për hapat e mëtutjeshëm për marrjen në menaxhim të hapësirës së lartë ajrore të Kosovës, dhe zhvillimin e terminalit ajror të mallrave.

 

Së fundmi, Ministri Aliu, e falënderoi Gjeneral Majorin, z. Ferenc Kajári dhe Drejtorin e Operimeve, z. Gökmen Aritay, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm, dhe shprehu bindjen se kjo frymë e koordinimit dhe bashkëpunimit do të vazhdojë edhe më tej.