5992 - Galeria_single | MMPH

Faza e dytë e hidrosistemit Ibër-Lepenc po fillon të jetësohet - drejt një zgjidhje përfundimtare të problemit me ujë për gjysmën e Kosovës.  

 

Pas aprovimit të grantit për zhvillimin e dizajnit preliminar dhe vlerësimit mjedisor dhe social për digën e Friajës, në vlerë prej 1.8 Milion€ nga WBIF, sot në ambientet e MMPHI-së, u mbajt takimi në mes të përfaqësuesve të institucioneve përfituese për përgatitjen e kornizës institucionale për zbatimin e këtij projekti.

 

“Studimi i Fizibilitetit për Ndërtimin e Kanalit të Lepencit dhe Digave të Shtimes dhe Firajës”, rekomandoi një qasje në dy faza për zbatimin e projektit (fazës së dytë të Ibër Lepencit).

 

Faza e parë, siguron ujë për nevojën urgjente për ujë të pijshëm për 400,000 banorë në zonën e projektit, dhe Faza e dytë (deri më 2031), fokusohet kryesisht në zhvillimin e bujqësisë. Faza e parë përfshin ndërtimin e Digës devijuese të Firajës së Poshtme dhe rrjetit përcjellës të tubacioneve të ujit në zonat e shërbimit të tre KRU-ve (Prishtina, Bifurkacioni dhe Hidromorava). 

 

Kjo fazë parashikohet të përfundoj gjatë viteve 2025-2026 dhe llogaritet të kushtoj rreth 49,2 milion €. 

 

Faza e dytë përfshin ndërtimin e Digës së Epërme të Shtimes dhe kanaleve të transferimit dhe transportit të ujit për qëllime të ujitjes. 

 

Faza e dytë llogaritet të kushtoj rreth 332,2 milion €.

 

Objektivi kryesor i projektit (fazë së parë – Digës së Firajës) është të adresojë mungesat e vazhdueshme të ujit dhe të përmbushë nevojat e furnizimit me ujë për banorët dhe industrinë e 9 komunave duke përfshirë Ferizajn, Gjilanin, Kaçanikun, Shtimen, Lipjanin, Vitin, Kamenicën, Kllokotin dhe Shtërpcen.

 

Për më shumë, projekti ka këto synime:

 

-Sigurimi i ujit për pjesën e Kosovës me “stres ujor”;

-Rritja e potencialit të zhvillimit industrial/tregtar për shkak të ofrimit të furnizimit adekuat dhe të besueshëm 24-orësh me ujë;

-Potenciali për zhvillimin e deri në 20,000 hektarë tokë bujqësore të ujitura (me fazën e dytë); si dhe

-Zhvillimi i potencialit hidroenergjetik të digave të propozuara për të kontribuar në burimet e ripërtëritshme të energjisë së vendit.