5988 - Galeria_single | MMPH

Sot, është nënshkruar një deklaratë e përbashkët qëllimi në mes të znj. Maria Suokko (Përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Kosovë), z. Liburn Aliu (Ministër i MMPHI-së), dhe z. Nazmi Hasanramaj, (Drejtor i Klubit Alpin Prishtina), për promovimin, edukimin dhe hartimin e ofertave turistike në natyrë, duke përfshirë mjedisin dhe trashëgiminë kulturore.

 

Kjo Deklaratë Qëllimi është realizuar ndërmjet Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (“UNDP”), një organ ndihmës i Kombeve të Bashkuara, një organizatë ndërqeveritare e krijuar nga Shtetet Anëtare të saj me seli në Nju Jork, NY (SHBA), Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe Klubi Alpin Prishtina (KAP). 

 

Për shkak të efekteve negative që solli pandemia COVID-19 në sektorin e turizmit, nënshkruesit vunë re një mundësi të qartë për të punuar së bashku në zbutjen e pengesave në këtë sektor. Kjo përpjekje e ndërsjellë synon të ushtrojë një ndikim më të drejtpërdrejtë në promovimin, edukimin dhe hartimin e ofertave turistike në natyrë dhe më gjërë, duke përfshirë mjedisin e pasur natyror dhe trashëgiminë kulturore.

 

Rrjedhimisht, nënshkruesit kanë vendosur të bashkëpunojnë në fusha me interes të ndërsjellë për mbështetjen e krijimit të një platforme gjithëpërfshirëse, që do të ndihmojë në krijimin e një harte dixhitale të bazuar institucionalisht, me informata dhe të dhëna të shumta për të rrëfyer dhe informuar ecjet në natyrë, eksplorimet kulturore, etnografike dhe arkeologjike, si dhe aktivitete rekreative të ngjashme, për të i bërë ato lehtësisht të arritshme për turistët vendas dhe ndërkombëtarë, me fokus fillimisht në regjionin relativisht të pa zbuluar të Gollakut. Në të njëjtën kohë, ndërmjet kësaj deklaratë nënshkruesit dëshirojnë të rrisin përpjekjet ekzistuese për të promovuar edukimin shëndetësor në natyrë, duke inkurajuar një turizëm të qëndrueshëm dhe miqësor ndaj mjedisit.