5984 - Galeria_single | MMPH

Në terminalin e ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, sot është bërë inagurimi i linjës ajrore Prishtinë - Zagreb, dhe anasjelltas.

 

Në këtë inaugurim kanë marrë pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Kroacisë, të cilët kanë vlerësuar lartë rihapjen e linjës ajrore, duke shprehur se është e rëndësishme për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale dhe miqësore në mes të dy shteteve. 

 

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, z. Hysen Durmishi, ka thënë se kjo linjë ajrore e cila i ka munguar të dyja shteteve është e rëndësishme për qarkullimin e udhëtarëve nga të dyja shtetet, veçanërisht për ripërtërirjen e mundësive për bashkëpunim të mëtutjeshëm ekonomik, e po ashtu edhe për turizëm e ndërlidhje kulturore në mes të dy vendeve.

 

"Jemi të bindur se linja e drejtpërdrejtë Zagreb - Prishtinë, do të hap një perspektivë të re në mes të dyja vendeve dhe do të krijoj mundësi për qarkullimin e njerëzve, e kësi soji diasporës tonë dhe popullit mik të Kroacisë, do të ju mundësohet dhe lehtësohet trafiku ajror, me hapjen e re të linjës ajrore. Njëkohësisht ky bashkëpunim i ndërsjellë do të shërbejë si shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë më intenzive të bashkëpunimit e cila bazohet në vlera të përbashkëta me synim të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.", shprehu z. Durmishi. 

 

Në këtë ceremoni të inagurimit ka marrë pjesë Ministri i Infrastrukturës, nga shteti i Kroacisë, z. Oleg Butkovic, i cili ka shprehur se rihapja e kësaj linje ajrore është një hap shumë i rëndësishëm për fuqizimin e marrëdhënieve miqësore Kroaci-Kosovë.

 

“Me forcat e bashkuara dhe përkrahjen e Qeverisë së Kosovës kemi arritur ta rikthejmë këtë linjë ajrore. Si për sektorin e ekonomisë dhe atë ajror, kjo linjë është shumë me rëndësi për të dyja vendet”, ka theksuar z. Oleg Butkovic.

 

Të dy palët theksuan fuqimisht domosdoshmërinë e punës së përbashkët si fqinjë të mirë, për të avancuar më tej në krijimin e raporteve të shkëlqyera mes të dyja vendeve.